‘Hajduti i telefonave’ – Ndihmojnë kamerat, policia arreston shtetasin
Policia e Shtetit ka ndaluar një person në kryeqytet identifikimi i të cilit u bë i mundur nëpërmjet pamjeve filmike.
Shtetasi në fjalë kishte vjedhur dy telefona me vlerë rreth 70.000 lekë në një dyqan celularësh. Sipas njoftimit gjithashtu është ndaluar dhe një tjetër shtetas i cili ishte i shpallur në kërkim për dhunë në familje.
Policia tha se, pas analizimit të pamjeve filmike, si dhe informacioneve të marra në rrugë operative mbi vendndodhjen e personit të dyshuar si autor i vjedhjes së celularëve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, kanë organizuar punën duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit : A. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.
Sipas njoftimit shtetasi u ndaluar pasi më datë 16.07.2019 në orët e mbrëmjes, në rrugën “Sulejman Delvina” ka hyrë në një dyqan dhe ka vjedhur dy aparate celulare, me vlerë rreth 70.000 lekë të reja. Gjithsesi policia tha se puna hetimore po vijon pasi dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe vjedhje të tjera.
Komisariati i Policisë Nr.2, bëri të mundur edhe kapjen e personit në kërkim E.G., 27 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Shtetasi në fjalë, E.G. ishte shpallur person në kërkim për veprën penale “Dhuna ne familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.