Hammond për Brexit – “Bankave u duhet një proces i ri rregullator, pas negociatave”
Bankave britanike dhe të Bashkimit Europian u duhet një sistem i ri që u lejon të bëjnë biznes me njëra-tjetrën pas Brexit, në mënyrë që të shmanget ndarja e tregjeve, tha ministri i Financave i Britanisë, Philip Hammond.
Britania, që është tregu më i madh financiar i BE, do të dalë nga blloku në 2019-ën, duke rritur pritshmëritë e ndërprerjes së lidhjeve përtej kufijve.
Qendrat financiare rivale, përfshirë Frankfurtin, Parisin dhe Luksemburgun, po përpiqen që të përfitojnë.
Hammond tha se negociatat e Britanisë me Bashkimin Europian do të kenë një qasje pragmatike ndaj shërbimeve financiare dhe mënyrën se si mbikëqyren.
“Fragmentimi i shërbimeve financiare do të sjellë produkte me cilësi më të dobët dhe çmime më të larta për të dyja palët”, tha Hammond.
Aktualisht, bankat dhe siguruesit në Londër i shërbejnë tregut të BE nga një bazë e vetme, por kjo pritet të përfundojë pas Brexit, nëse nuk zhvillohen marrëveshje të reja.
“Së pari, duhet një proces i ri për caktimin e kërkesave rregulatore për biznesin përtej kufijve, që të jetë simetrik, transparent dhe të reflektojnë standarde ndërkombëtare”, tha Hammond.
Së dyti, ministri i Financave tha se marrëveshjet e bashkëpunimit duhet të jenë reciproke, të besueshme dhe t’i japin prioritet stabilitetit financiar, duke shtuar se duhet të lejojnë një manaxhim të koordinuar të riskut nga të dyja palët.
“Së fundmi, këto marrëveshje duhet të jenë të përhershme dhe të besueshme për bizneset e rregulluara nën këto regjime”, tha Hammond.
Pa të drejtën e shërbimit drejt tregut europian (passaporting), bankat, siguruesit dhe manaxhuesit e aktiveve në Britani do të duhet të ndërtojnë degë të kushtueshme në Bashkimin Europian, ose do të duhet të përdorin regjimin e “barasvlerës” së bllokut. Brukseli lejon akses në treg ndaj firmave të huaja nëse rregullat në vendndodhjen e tyre janë ekuivalente me ato të bllokut.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.