Hapa pas me korrupsionin – “Transparency International”: Në Shqipëri dhe Kosovë, fenomeni në rritje
Niveli i korrupsionit në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me vitin paraardhës. Të paktën kështu mendojnë vetë shqiptarët. Matësi më i mirë i korrupsionit në nivel global është pikërisht mënyra e perceptimit të tij nga shoqëria e secilit vend. “Transparency International” publikon çdo vit indeksin e perceptimit të korrupsionit. Për këtë vit, Shqipëria zë vendin e 106-të në botë ndër 180 shtete, me 35 pikë nga 100 të tilla.
Vitin paraardhës renditja na vendoste në vendin e 99-të, ç`ka përkthehet në një rënie me 7 pozicione në klasifikimin e përgjithshëm. Në Europë më keq se në është vetëm Maqedonia e Veriut, Moldavia, Ukraina dhe Rusia. Maqedonia e Veriut është një prej vendeve që ka pësuar edhe rënien më të madhe në renditje, me 13 pozicione në harkun e një viti. Të gjitha vendet e tjera të Europës dhe të rajonit, përfshirë Bosnje Hercegovinën apo Kosovën janë më mirë në renditje.
Edhe Kosova ka humbur ndjeshëm pozicione, duke zbritur nga vendi i 93-të, në të 101-tin. Madje, raporti i ka rezervuar disa reshta Kosovës, duke vënë theksin te fakti se, qeveria e re, me “Vetëvendosjen” në krye ka shansin ta luftojë korrupsionin, ashtu siç ka premtuar. Në nivel global, Danimarka e ndjekur nga Zelanda e Re dhe Finlanda janë vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit të perceptuar në botë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.