Hapet “Akademia 100+ fshatrat” – Kriteret dhe afati i fundit për aplikim
Të gjithë studentët master në arkitekturë, urbanistikë, planifikim urban, peizazhi e mjedisi si dhe profesionistë të rinj mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e “Akademisë 100+ Fshatrat”.
Kjo e fundit, e cila do të jetë hapur përgjatë muajve gusht-dhjetor, po zhvillohet në kuadër të programit të Rilindjes Rurale, me fokus 100+ fshatrat, që synon një zhvillim rural bazuar tek potenciali turistik.
“Akademia 100+ Fshatrat” do të bazohet në 20 Atelier projektimi të veçanta, të lidhura me njëra tjetrën nën udhëheqjen e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
Aplikantët duhet të kenë eksperiencë pune kërkimore, skicim dhe komunikim, si dhe duhet të tregojnë kujdes në marrjen e shënimeve. Po ashtu, tjetër kriter përfshin aftësinë për të marrë pjesë në diskutime në grup, e cila konsiderohet si një domosdoshmëri për t’u bërë pjesë e Akademisë.
Sa i takon afatit të fundit të aplikimeve, të interesuarit do të kenë mundësi të dorëzojnë aplikimet e tyre deri më datë 15 korrik 2018, ora 23:59 në adresën www.planifikimi.gov.al. Ndërsa, ofertat e pranimit do të dërgohen jo më vonë se 20 korrik. Më pas, të gjithë kandidatët e përzgjedhur do të intervistohen.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.