Hapet konkursi publik për Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave në Kosovë! Ministri i Financave sqaron detajet
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Kosovë është hapur një konkurs i ri për pozicionin e drejtuesit. Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka bërë të ditur se afati i aplikimit është 15 ditë, duke inkurajuar të gjithë kandidatët e interesuar.
Gjithashtu z.Bislimi ka bërë një shpjegim sqarues rreth mbarimit të mandatit të drejtorit aktual Bahri Berisha. Këtij të fundit përpara largimit të qeverisë Haradinaj i ishte bërë një zgjatje 3 vjeçare e mandatit, ndërkohë që ky vendim u shfuqizua nga kryeministri i ri Albin Kurti.
Z.Bsilimi është shprehur se pas vendimit të kryeministrit Kurti, ligji e detyronte që të shpallte një konkurs të hapur për këtë pozicion dhe se ky vendim në asnjë rrethanë nuk paragjykonte performancën e drejtorit ekzistues.
“Drejtorit aktual i ka skaduar mandati dhe procedurat kërkojnë hapje të konkursit, e në të cilin unë e inkurajoj fuqishëm që të aplikojë.” – e mbyll njoftimin e tij ministri Bislimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.