Hapet tenderi 129 mln euro për unazën – ARRSH ul me 3 mln euro fondin limit të parashikuar, 1 muaj kohë për ofertat
Pavarësisht se ishte parashikuar për t’u hapur në muajin shtator, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur garën tenderuese për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Madhe, me një fond limit prej rreth 15.6 mln lekë apo 129 mln euro. Kjo shifër është 3 mln euro më pak nga sa ky dikaster parashikonte për realizimin e kësaj vepre infrastrukturore. Ndërkohë që, kompanitë e interesuar kanë një muaj kohë për të dorëzuar ofertat e tyre. Referuar dokumenteve të tenderit, punimet për realizmin e veprës do të duhet të zgjatin 2 vjet nga moment i nënshkrimit të kontratës.
Në total janë 7 lote, për të cilët është hapur gara tenderuese. 3 prej tyre përfshijnë ndërtimin e segmentit nga sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një kosto prej 7.42 mld lekë apo 61.3 mln euro. Ky segment fillon në pikën e sotme fundore që është rrethrrotullimi Shqiponja dhe vazhdon përgjatë rrugës ”Vangjel Noti”, kryqëzohet me rrugën ”Adem Jashari”, vazhdon në një zonë ndërtimesh të reja e më pas vazhdon me kalimin e lumit të Tiranës përmes një ure, për t’u zhvilluar në krahun e majtë të lumit, në krah te kodrave te Paskuqanit deri në pikën e takimit me Bulevardin e ri të Tiranes.
Gjatësia e këtij segmenti është rreth 3 km. Ndërkaq, 4 lotet e tjerë përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, me një kosto totale prej 67.7 mln euro. Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, që aktualisht është duke u ndërtuar , duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios.
Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, duke zbritur nëpër shtratin e Përroit të Gjeroses, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz. Gjatësia totale e segmentit nga Sauku deri në Lumin e Tiranës është 10.75 km. Ndërtimi i këtyre segmenteve do të bëjë edhe bashkimin e të Unazës, teksa duket se do të jetë një ndër investimet publike më të mëdha përgjatë 2 viteve të ardhshëm.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.