Hapet tenderi/ Në Farkë po planifikohet të ngrihet tregu i dytë agro-ushqimor i Tiranës
Bashkia e Tiranës po planifikon të ndërtojë në kryeqytet një treg të ri agroushqimor. Në Agjencinë e Prokurimeve Publike është hapur një tender për “Shërbime konsulence për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe planit të biznesit për agregatorin bujqësor”. Tenderi ka një vlerë 12.5 milionë lekë.
Tendenca në rritje e popullsisë si dhe rritja e ndjeshme e industrisë së turizmit gjatë viteve të fundit ka çuar në rritje të kërkesës konsumatore për produktet bujqësore dhe blegtorale. Zinxhiri i tregtimit të produkteve bujqësore e blegtorale në Tiranë është i organizuar në dy forma:
-në Tregun Agroushqimor me shumicë Kashar i cili operon në mënyrë private;
-në 8 tregje publike me pakicë të administruara nga Bashkia Tiranë.
“Grumbullimi dhe tregëtimi me shumicë i produkteve bujqësore dhe blegtorale të prodhuara në zonat rurale të Tiranës sikurse dhe në zonat e tjera të Shqiperise realizohet në Tregun Agro-ushqimor Kashar. Nisur nga ky fakt, është vënë re nevoja për ngritjen e një tregu të dytë shumice (agregator bujqësor) të këtyre produkteve i cili njëkohësisht do të mundësojë një lehtësim në daljen në treg të prodhuesve të zonave rurale të Tiranës si dhe jashtë saj” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Bashkia Tiranë duke patur parasysh problematikat që lidhen me zinxhirin e tregtimit të produkteve agro-ushqimore siç janë niveli i ulët i organizimit të prodhimit dhe shitjes së produkteve që vijnë nga zonat rurale të territorit të saj, shitjet direkte te konsumatori në një mënyrë jo të mirë-organizuar etj, ka ndërmarrë nismën e krijimit të një “Agregatori Bujqësor” me anë të të cilit synohet rregullimi i çështjeve të cituara sa më sipër si dhe të kënaqë në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesat e grupeve të interesit të përfshira në këtë zinxhir.
Vendi ku parashikohet të ngrihet tregu I dytë agro-ushqimor është Farka e Vogël.
“Si pozicionim gjeografik zona kadastrale ku bën pjesë pasuria e propozuar për ndërtimin e strukturës së Agregatorit Bujqësor shtrihet midis liqenit të Farkës dhe segmentit Jug-Lindor të unazës së madhe të Tiranës. Ky pozicionim i pasurisë krijon mundësinë e lidhjes së strukturës së Agregatorit me rrjetin rrugor qytetas dhe ndërqytetas nëpërmjet unazës së madhe” shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.
Hartimi i studimit të fizibilitetit, ka si qëllim që të vendosë në dispozicion të Bashkisë Tiranë, një dokument i cili përmban një analizë të të gjitha aspekteve përbërës të projektit të propozuar, në mënyrë që Bashkia Tiranë, duke u bazuar mbi rezultatet e këtij studimi, të ketë mundësi për vendimmarrje të mëtejshme, në lidhje me projektin e Agregatorit Bujqësor.
Ky studim i fizibilitetit do të vlerësojë aspektet e përgjithshme, të cilat lidhen me vlerësimin e faktit nëse ka apo jo interes publik për realizimin e këtij projekti si dhe faktin nëse projekti harmonizohet me objektivat dhe planet e miratuara nga qeverisja qendrore apo vendore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.