Hapet tenderi/ Në Thumanë do të ndërtohet “Atrium Center”! Detajet e projektit
Bashkia e Krujës ka hapur tenderin për ndërtimin e “Atrium Center” në Thumanë, në kuadër të procesit të rindërtimit. Fondi limit është 220 milionë e 210 mijë lekë dhe afati për aplikimet është data 25 shkurt 2021.
“ATRIUM CENTER THUMANA-(ACT) THUMANA” është objekt ndërtimor, kompleks i ri që do të ndërtohet pas dëmtimeve të objekteve “Njësia Administrative Thumanë”, “Qendër Ambulative Thumanë” si dhe objekte shtesë si Stacion Policor dhe Sallë Konferencash.
“Programi i Rindërtimit të objekteve Polifunksionale ka si qëllim, jo vetëm krijimin e hapësirave të domosdoshme për shëbime publike si Njësi Administrative, Shërbime Shëndetësore, Shërbime Policore, Salla Konferencash etj, por edhe ndërtimin e objekteve polifunksionale model: objekte shërbimesh publike që plotësojnë standardet e projektimit e të ndërtimit mbi bazën e Eurocode 8. Objektet polifunksionale që janë të lidhura me komunitetin të cilit i shërbejnë dhe kur është e mundur të kryejnë edhe funksione komunitare komplekse,projektim modular dhe teknologji ndërtimi e shpejtë për të mundësuar çeljen e objekteve të reja në një kohë sa më të shpejtë” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Atrium Center Thumana (ACT) do të ndërtohet në territorin e bashkisë Krujë, Njësinë Administrative Thumanë.
Njësia Administrative Thumanë ndodhet në Thumanë dhe ofron shërbime komplekse si Shërbime Publike, Bujqësi e Prona, shërbime për Gjendjen Civile, Ndihmës Ekonomike, Taksave Vendore etj.
Mbulon nevojat e komuniteteve të Njësive Administrative Thumanë, përfshirë fshatrat Thumanë Qendër, Kodër Thumanë, Bushnesh, Dukagjin i Ri, Miliskaj, Derven i Poshtëm, Derven i Sipërm, Borizanë, Gramëz e Sukth Vendas me synim lehtësimin e kushteve të shërbimit dhe situatës socialekonomike si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Qendra Shëndetësore Thumanë ndodhet në Thumanë dhe ofron shërbime shëndetësore për banorët e Qendër Thumanës dhe Kodër Thumanës.
Stacioni Policor, është menduar të hapet rishtazi, meqenëse kjo zonë ka një popullësi të konsiderueshme dhe do t’i nevojitet domosdoshmërisht një Zyrë Shërbimi Policore.
Po ashtu është menduar të ndërtohet dhe një sallë mbledhjesh bashkëkohore(konferencash).
“Atrium Center Thumana” shtrihet në pjesën veriore të rrugës Demokracia, në qendër të Thumanës, në ish fushën e sportit. Objekti ka formë thuajse kuadrike(me disa forma ovale në tarracë) me përmasa mesatare 35m dhe 110m.
Objekti ACT është një objekt i ri polifunksional, i cili përmbledh shërbimet në 3 grupe kryesore:
-1-Grupi i shërbimeve të Njësisë Administrative.
-2-Grupi i shërbimeve Ambulative.
-3-Grupi i shërbimeve të ndryshme.
Të tre këto grupe shërbimesh më parë kanë qenë të organizuara veçmas ose mungonin fare.
ATRIUM CENTER THUMANA(ACT) , propozohet për rindërtim me një siperfaqe totale ndërtimore 2152m2, sipas të gjitha standarteve europiane të projektimit, mbështetur në normativat në fuqi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.