Hapet tenderi/ Policia e Shtetit kërkon 100 mjete me qera. Fondi 248 milionë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shpallur tenderin për marrje mjetesh me qera operacionale me fond limit 248 milionë e 731 mijë lekë. Afati për dorëzimin e ofertave është 05 prill 2021.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për plotësimin e nevojave te shërbimeve policore që prej vitit 2017 ka aplikuar marrjen me qira të automjeteve, për shërbimet e policisë së rendit dhe policisë rrugore.
Nëpërmjet këtij shërbimi, i cili gjatë këtyre viteve ka rezultuar i suksesshëm, janë siguruar 187 mjete, të cilat janë të shpërndara në DVP Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Fier , Vlorë, Gjirokastër, komisariatet e policisë Kavajë, Sarandë, Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme dhe Aparati i DPPSH.
Me përfundimin e kontratës nr. 17/4, datë 20.06.2017 , është parashikuar përveç zëvendësimit të 53 mjeteve në DVP Tiranë, për të cilat përfundon kontrata, ky shërbim të zgjerohet dhe në drejtoritë vendore të policisë Kukës, Dibër, Korçë. Në total është parashikuar marrja me qira e 100 mjeteve” evidentohet në dokumentat e tenderit.
Financimi këtij shërbimi është përfshirë në PBA 2021-2023, për Programin “Policia e Shtetit”, në zërin “Shpenzime për qiramarrje mjete transporti”, ndërsa për periudhën në vazhdim përtej vitit 2023, buxhetimi do të parashikohet në PBA 2022-2024 si dhe është bërë praktika për marrjen e angazhimit finanaciar sipas procedurave ligjore.
Qëllimi i realizimit të kësaj procedure, është nevoja e plotësimit me mjete të transportit, autovetura, për nevoja të zbatimit të detyrave të patrullave të Policisë së Shtetit si dhe proceseve të modernizimit dhe rritjes së performancës të strukturave të Departamentit te Sigurisë Publike në ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë publike.
“Policia e Shtetit ka implementuar projektin për marrjen me qera të mjeteve për shërbimet e rendit dhe qarkullimit rrugor që në vitin 2017. Kontratat 4-vjeçare të aplikuara kanë sjellë, vazhdimësinë e marrjes së shërbimit, përmirësimin e kushteve të punës të strukturave operacionale, rritur performance ne policimit në komunitet me prezencën e mjeteve të reja si një detyrim i vazhdueshëm i këtij shërbimi që ka ardhur si pasojë e amortizimit të mjeteve të transportit që disponon Policia e Shtetit.
Leasing operacional i implementuar nga ana jonë për gjatë këtyre viteve ka rezultuar si model efektiv në realizimin e detyrave funksionale të Policisë së Shtetit si dhe në mirëpërdorimin e fondeve buxhetore, këto përfundime janë të nxjerra nga grupi i Punës i Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjatë viteve të aplikimit të këtij modeli, nga ana jonë janë evidentuar avantazhe financiare dhe operative.
Aplikimi i kontratës 4-vjeçare sjell ulje të kostos financiare pasi mjetet që merren me qera dizenjohen me logot e Policisë së Shtetit sipas parashikimeve ligjore, kompletohen me sinjalistikë zanore dhe pamore si dhe pajisjen me aksesor për fiksimin e prangave dhe sistemin dhënës me mikrofon me komandim brenda mjetit. Nëse nuk do realizohej implementim 4-vjeçar i marrjes së mjeteve me qera, domosdo do kërkonte çdo vit pajisja me aksesorët e lartpërmendur dhe për pasojë rritjen e çmimit, pra kosto shtesë e panevojshme duke mos i përdorur fondet me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet.
Policia e Shtetit kërkon shërbim të vazhdueshëm në ruajtjen e rendit dhe qarkullimit rrugor kryesisht dhe këtë shërbim më së miri do e ofronte kontrata me afat 4-vjeçar. Mbulimi i shërbimeve të rendit dhe qarkullimit rrugor me mjete të marra me qera është analizuar nda Departamenti për Sigurinë Publike për tu shtrirë në Drejtoritë Vendore: Tiranë, Durres, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Gjirokastër, Korçë, Berat, Diber dhe Kukës .
Policia e Shtetit ka planifikuar në PBA fondin për marrjen e mjeteve me qera si dhe ka bërë praktikën për marrjen e angazhimit financiar sipas procedurave ligjore” shkruhet më tej në dokumente.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.