Hapja e bizneseve të reja – Regjistrohen mbi 32 mijë sipërmarrje në vitin 2016
Tashmë në çdo tryezë zyrtare apo sipërmarrjeje temë kryesore është krijimi i një klime të favorshme për biznesin. Por, nisur nga statistikat zyrtare gjatë viti 2016 pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit janë regjistruar 32 478 biznese.
Këto shifra i ka publikuar vetë Ministri i Financave, sipas të cilit, këto janë të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Po sipas këtyre statistikave, referuar pronësisë së këtyre bizneseve, rezulton se nga këto biznese të reja të hapura rreth 30 867 biznese janë shqiptare, 1247 janë biznese të huaja, 301 biznese janë më pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj dhe 63 biznese përfshihen te kategoria të tjera.
Edhe pse numri i bizneseve që hapen është i lartë, nuk mbeten mbrapa edhe kërkesat e shumta për mbyllje të aktiviteteve. Kështu, edhe aksioni ndaj informalitetit ka dhënë një efekt në këtë proces, ku shumë biznese të cilat kishin detyrime të papaguara nga administratës tatimore, kanë bërë kërkesë për t’i mbyllur, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia të jenë hapur nën emra të tjerë.
Ndërkohë për lehtësim të procedurave për biznesin që nga muaji prill Qendra Kombëtare e Biznesit nisi ofrimin e shërbimeve në mënyrë të përmbledhur, duke reduktuar burokracinë dhe kostot e biznesit dhe jo të ndara siç janë ofruar QKR dhe QKL. Biznesi, tashmë ka një qendër të vetme, të dedikuar për regjistrimin, si dhe lejet dhe licencat.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.