Hapja e llogarive bankare – Bizneset kanë afat deri ditën e hënë
Bizneset që nuk kanë hapur ende një llogari bankare do të kenë afat deri të hënën për ta bërë këtë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar tatimpaguesit se afati është shtyrë me dy ditë nga data 26 tetor, sepse kjo e fundit është ditë pushimi.
Ligji për procedurat tatimore që hyr në fuqi në muajin korrik iu jepte 90 ditë afat të gjitha bizneseve të regjistruara në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar për të hapur llogari bankare.
Gjithashtu, ky detyrim vlen për të gjithë personat juridikë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor dhe për organizatat jo-fitimprurëse. Përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare vetëm personat fizikë tregtarë të cilët nuk janë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Qëllimi kryesor i ndryshimeve në ligj ishte rritja e shkallës së formalizimit të aktivitetit të biznesit. Administrata tatimore nuk ka bërë publike shifra rreth numrit të bizneseve që preken nga nga ky detyrim, megjithatë, sipas disa të dhënave të vitit të kaluar, numri i bizneseve të regjistruar në skemën e TVSH-së është pak më i ulët se 50 mijë.
Instituti i Statistikave raporton numri i bizneseve aktivë jo-bujqësorë në fund të vitit të kaluar ishte rreth 122 mijë.
Ndërkohë, mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, numri i llogarive bankare të bizneseve rezidente ishte rreth 60 mijë.
Nga këto të dhëna, rezulton që më pak se gjysma e bizneseve aktive në Shqipëri kanë llogari bankare. Realisht, kjo përqindje është edhe më e vogël, po të kemi parasysh se bizneset e përmasave të mëdha dhe të mesme zakonisht kanë disa llogari bankare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.