Harley-Davidson, jashtë SHBA – Tarifat e Trump detyrojnë ikonën amerikane të zhvendosë prodhimin
Harley Davidson deklaroi se do të nisë zhvendosjen e prodhimit jashtë SHBA për të zbutur ndikimin e tarifave të Bashkimit Europian.
Deklarata është e para nga një kompani ikonë amerikane që reagon ndaj konfliktit tregtar dhe hedh poshtë pretendimet e Donald Trump se do të mbrohen vendet e punës duke prezantuar tarifa.
Në kundërpërgjigje të tarifave amerikane ndaj çelikut dhe aluminit, BE reagoi duke penalizuar 3 miliardë dollarë mallra amerikanë, përfshirë uiskin, jahtet dhe motoçikletat.
Tarifat europiane për motoçikletat e prodhuara në SHBA u rritën në 31% nga 6%, deklaroi Harley Davidson në një formular që paraqiti te Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë SEC.
Asnjë njësi prodhimi nuk do të shkojë në Europë prej tarifave sipas kompanisë. Fabrikat e prodhimit të Harley jashtë SHBA, ndodhen në vende si Brazili, India, Australia dhe Tajlanda. Kompania bëri të ditur se nuk do të rrisë çmimet, por pret një kosto shtesë prej 2,200 dollarë për motoçikletë, që eksportohet nga SHBA në Europë. Presidenti Donald Trump tha se ishte surprizuar nga vendimi i Harley.
“Për t’i bërë ballë barrës tarifore në afat-gjatë, Harley Davidson do të zhvendosë prodhimin e motoçikletave që destinohen në BE jashtë Shteteve të Bashkuara”, deklaroi kompania.
Aksionet ranë me rreth 6% ditën e Hënë, në rënie me 18.3% deri më tani për vitin. Harley ka shitur 40,000 motoçikleta vitin e kaluar në Europë, që është 16% e shitjeve totale dhe tregu më i madh jashtë Shteteve të Bashkuara. Sipas analistëve, tarifat e BE pritet të reduktojnë fitimet e kompanisë me 5-8%.
Trump e ka falënderuar publikisht Harley Davidson në të shkuarën për qëndrimin brenda SHBA dhe ka kritikuar kompanitë e tjera që kishin zhvendosur prodhimin jashtë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.