Hendeku i eficiencës – Ndërmarrjet e mëdha thellojnë dominimin në ekonomi
Xhiro totale e bizneseve në Shqipëri arriti në rreth 16 miliardë euro vitin e kaluar. Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e kryer nga Instat tregoi një rritje të shitjeve me afro 8%, rritje kjo pothuajse dy herë më e lartë krahasuar me vitin 2016. Ekonomia shqiptare u mbështet akoma më shumë te shërbimet, që kontribuuan me 5.3 pikë përqindje në rritjen totale të shitjeve.
Por, nga ana tjetër, vitin e kaluar, numri i ndërmarrjeve aktive pësoi rënie me 0.8%, për herë të parë pas shumë vitesh. Anketa e vitit 2017 vuri edhe njëherë në dukje hendekun e eficiencës që po krijohet mes bizneseve të mëdha dhe atyre më të vogla.
Bizneset me mbi 50 të punësuar vitin e kaluar realizuan 46.5% të shitjeve neto, në rritje të mëtejshme me dy pikë përqindje ndaj një viti më parë. Bëhet fjalë për rreth 1200 ndërmarrje, që përfaqësojnë 1.2% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Shqipëri, por që realizojnë afro gjysmën e shitjeve dhe mbi 70% të investimeve private në ekonomi.
Afro 95 mijë bizneset e vogla, me më pak se katër të punësuar, megjithëse përbëjnë 88% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve, përfitojnë vetëm 12% të shitjeve totale në ekonomi. Investimet vitin e kaluar u rritën me 4.5%, por ritmi i rritjes u ngadalësua për të dytin vit radhazi. Të dhënat e Instat tregojnë se afro 43% e investimeve u kryen në sektorin energjetik, në të njëjtin nivel me vitin e kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.