Hetim për shërbimin spitalor – Autoriteti i Konkurrencës i kërkon informacion spitaleve publike dhe private
Shërbimi spitalor në vendin tonë pritet ti nënshtrohet një analizë të detajuar nga autoriteti i konkurrencës. Me anë të një vendimi ky i fundit kërkon shtrirjen e hetimeve për vitin 2018, për vlerësimin e konkurrencës në treg dhe për këtë të gjithë institucionet shëndetësore (spitalet publike dhe private) duhet të japin informacionin e nevojshëm. Por si vlerësohet shërbimi spitalor në tërësi nga ekspertët?
Për ish ministrin e Shëndetësisë Tritan Shehu mungesa e investimeve ka çuar jo vetëm në numrin më të ulët të mjekëve, cilësi të dobët të shërbimit, rritjen e çmimit që vetë qytetarët duhet të paguajnë për të marrë një shërbim. Në një intervistë për televizionin SCAN Shehu e krahason sistemin shëndetësor në vendin tonë me vendet e Afrikës duke shtuar se kjo është pasojë e politikave të gabuara të ndjekura prej vitesh gjë e cila po reflektohet edhe me largimin e mjekëve .
Nga ana tjetër drejtoresha në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, Denada Seferi pranon që shëndetësia nuk është në nivelin e duhur duke theksuar se tashmë qeveria ka ngritur një kantier punimesh nisur që nga infrastruktura e deri te shtimi i numrit të mjekëve përmes politikave nxitëse, të cilat synojnë përmirësimin e sistemit gjë e cila pritet të reflektohet në të gjitha hallkat Por ajo që mbetet një problem sipas ish ministrit nuk janë vetëm mungesat e investimeve por edhe centralizimi i spitaleve, mungesa e autonomisë gjë e cila dëmton konkurrencën në treg, por sipas Seferit ky pretendim nuk është i drejtë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.