Hetim për tregun e barnave – Autoriteti i Konkurrencës: Çmimi i ilaçeve nuk është konkurrues, oferta e kufizuar
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore përgjatë 2 viteve të fundit. Analiza do të vlerësojë nëse ka kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës nga ndërmarrjet që operojnë në treg, nëpërmjet të drejtave ekskluzive, fuqisë se konkurrentëve në treg apo lidhjes së kontratave kufizuese. Ndërkohë që konkluzionet do të paraqiten pas 3 muajsh. Paraprakisht, Konkurrenca vëren se çmimi i barnave në tregun farmaceutik nuk është element konkurrues, pasi fiksimi i tij për të paktën një periudhe 6-mujore dhe përcaktimi i tij në pullën e kontrollit e bën atë të pandryshueshëm, duke sjelle kufizim të konkurrencës me çmimet e produkteve në tregun farmaceutik nga aktorët e këtij tregu.
Gjithashtu, oferta për barna në treg është e kufizuar për shkak të shkallës së lartë të fuqisë së tregut nga mbajtësit e patentave apo të drejtave ekskluzive ndërkohë që kërkesa për barna nuk përcaktohet drejtpërsëdrejti nga konsumatori (pacienti), por nga mjeket. Në këtë mënyrë konsumatori nuk ka mundësi të bëjë zgjedhjen e tij bazuar në çmime më të lira dhe cilësi më të mirë, por si rregull ndjek udhëzimet e doktorit. Gjithashtu, vlerësohet se tregu paraqet asimetri në informacion për shkak të marrëdhënieve mes mjekut dhe pacientëve, mjekut dhe prodhuesve/importuesve farmaceutikë, çka mund të jetë një nga shkaqet kryesore të mosfunksionimit të tregut mbi bazën e kërkesës dhe ofertës.
Ndërkohë tregu i pajisjeve mjekësorë është një treg i ri dhe në dinamikë për shkak të zhvillimit teknologjik në fushën e ekzaminimeve shëndetësore. Parë në këtë këndvështrim, është i nevojshëm vlerësimi i kufizimeve që sjellin në treg ekskluzivitetet e dhëna në lidhje me markat e pajisjeve apo shërbimet e mirëmbajtjes së tyre. Sipas Autortietit të Konkurrencës, Vlerësimi i këtij tregu pritet të sjellë një panoramë më të plotë për të parë ndikimin e tyre në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.