Hidrocentrali i Kalivaçit – Nënshkruhet kontrata, investimi mbi 125 milionë euro
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur negocimin dhe nënshkruar kontratën me subjektin fitues të garës për ndërtimin, operimin dhe transferimin me koncesion të hidrocentralit të Kalivaçit.
Shpallja e kompanisë fituese në këtë garë u krye në fund të muajit Tetor 2017 dhe gjatë këtyre muajve është kryer negocimi i termave të kontratës dhe tanimë nënshkrimi i saj.
Konsorciumi fitues “Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive ‘Ayen Enerji’ dhe ‘Fusha’ shpk parashikohet të kryejë një investim në vlerë të përgjithshme prej 125,287,800 Euro.
Fuqia e instaluar e përcaktuar me prurjen llogaritëse është 111,000 kW, prodhimi vjetor i energjisë elektrike mbi 366 milion kWh ndërsa koha e zbatimit të punimeve për realizimin e veprës 30 muaj.
Përmbyllja e procedurës i hap rrugën konkretizimit të një prej veprave më të rëndësishme hidroenergjetike në vend, e lënë pezull prej shumë vitesh.
Projekti për ndërtimin e këtij HEC-i është kundërshtuar prej vitesh nga organizatat mjedisore për shkak të vlerave të larta natyrore të lumit Vjosë.
Ai vlerësohet si një nga lumenjtë e fundit të egër të mbetur në Evropë, duke rrjedhur në mënyrë të natyrshme dhe të pandikuar në shumicën e e gjatësisë së tij prej 270 kilometrash.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.