Hidrocentrali i Veleshicës, shpallet fituesi – 7.3 mln euro investim, ndërtohet brenda 8 muajsh
Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “BE-IS” dhe “EL-PROM” janë shpallur fitues të tenderit për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Veleshicës, në qarkun e Dibrës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte caktuar si investim minimal për projektin vlerën prej 750 milionë lekësh, ndërsa oferta fituese tashmë ka arritur në gati 928 milionë lekë.
Në garë konkurronin gjithsej tre bashkime kompanish, prej të cilave dy janë skualifikuar nga komisioni i dhënies së koncesionit.
Sa i takon detajeve të ofertës fituese, ajo parashikon një tarifë koncesionare prej 2.2%, për një afat shfrytëzimi prej 35 vjetësh, kohë pas së cilës vepra energjetike do t’i kalojë në pronësi shtetit.
Fuqia e instaluar në hidrocentralin, që do të ngrihet mbi pellgun ujëmbledhës të lumit me të njëjtin emër, është prej 13,917 kË dhe do të prodhojë 47.2 gËh energji elektrike në vit. Punimet për ndërtimin e HEC-it pritet të nisin menjëherë pas lidhjes së kontratës mes palëve dhe do të zgjasin 8 muaj.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.