“Hilton” hap dyert në 26 shtator, Veliaj: Kryeqyteti shqiptar po kthehet në një destinacion turistik
“Hilton” është marka më e re në fushën e Hotelerisë që i shtohet kryeqytetit. Ky hotel do të hapë dyert zyrtarisht në 26 shtator në kryeqytet, duke premtuar një cilësi të lartë në shërbimin, por edhe një alternativë më shumë për turistët.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi mjediset dhe vlerësoi punën që është bërë nga i gjithë stafi, duke shtuar se “Hilton” u vjen në ndihmë turistëve të shumtë që zgjedhin për të vizituar Tiranën.
“Zakonisht inspektoj punët publike, por kjo ka qenë një punë e bërë në partneritet publik-privat, ku jemi kujdesur sadopak aksesin e turistëve në Tiranë ta bëjmë më të lehtë me hotelin e ri “Hilton”. Është një punë e mrekullueshme e bërë nga stafi, pronarët, arkitektët dhe menaxherët. Mezi pres datën, ku marka “Hilton” më në fund do të hapet zyrtarisht në Tiranë, me mbi 140 dhoma, të cilat na zgjidhin edhe një nga krizat që kemi pasur me shtretërit për turistët”, tha Veliaj.
Veliaj shprehu bindjen se kjo markë do të shërbejë edhe si një tërheqje për firma të tjera ndërkombëtare.
“Vjen një brend i ri, i cili me gjasë do të tërheqë edhe brende të tjera në Tiranë. Në dijeninë time, përveç “Hilton”, janë edhe dy-tre marka të tjera ndërkombëtare, që besoj se do t’i japë qytetit një stoli për të cilën ka pasur shumë nevojë. Jam shumë i entuziazmuar nga cilësia e punimeve, e stafit, nga fakti që më e mira e eksperiencës së “Hiltonit” në mbi 5 mijë hotele ka ardhur edhe në Tiranë”, theksoi ai.
Kryebashkiaku tha se “Hilton” do të jetë një adresë cilësore, jo vetëm për turistët, por edhe për aktivitete të ndryshme.
Sipas Veliajt, ky hotel do të shërbejë si një mundësi punësimi, por edhe përvoje, për shumë punonjës në fushën e hotelerisë. Ndërsa Menaxheri i Përgjithshëm i “Hilton”, Michael Walker, u shpreh se synim mbetet zgjerimi i mëtejshëm i aktivitetit, pasi Shqipëria ofron të gjithë potencialin e nevojshëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.