Hipoteka hap zyra të reja në 26 bashki! Kreu i ZRPP, Muho në “Argument”: Projekti nis javën e ardhshme e mbyllet brenda marsit
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të hapë këtë vit 26 zyra të reja në 26 njësi vendore. Lajmi u bë i ditur nga kreu i ZRPP-së Ilirjan Muho në emisionin “Argument”në Tv SCAN, të gazetarit Enio Civici.
Hapja e zyrave, sipas Muhos, do të nisë nga java e ardhshme e në këtë mënyrë të gjitha njësitë vendore plotësohen me shërbimin publik të pasurive të paluajtshme.
“Kemi dhe një projekt shumë të rëndësishëm që jemi gati për ta vënë në zbatim. Është hapja e 26 zyrave të reja në 26 njësi vendore që nuk jemi të pranishëm sot. Aktualisht ne kemi zyra në 35 njësi vendore, ndërsa të njësitë e tjera, edhe pse ofrojmë shërbimin, nuk kemi një zyrë të posaçme. Në këtë mënyrë, ne jemi më pranë qytetarëve duke u kursyer atyre kohë dhe para. Të gjitha gjërat janë gati e besojmë se do të mbyllet brenda muajit mars” tha Muho.
Në vijim të intervistës, Muho tha se projekti është në proces diskutimi me drejtuesit e bashkive të cilët do të sigurojnë edhe ambientet përkatëse. Synimi, sipas Muhos, është që zyrat e reja të jenë pranë njësive të pushtetit vendor, ku ofrohen më shumë shërbime publike.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.