Histori suksesi/ Rikthimi i Armando Mustafës! Rruga e 16 vjeçarit që iku me gomone dhe u kthye si investitor
Cili është mendimi i parë që kalon në kokën tënde sa zgjohesh në mëngjes? Jam vonë, duhet të nxitoj, një tjetër ditë e zakonshme? Kur është hera e fundit që ke menduar për atë që ke dashur të arrish më së shumti në jetë? Pse disa kanë sukses dhe disa jo kur ne jemi të gjithë të njëjtë? Secili nga ne e ka një histori… Kjo, është historia e Armandos. Ardhja e demokracisë e gjeti 16 vjeç. Etja dhe dëshira për të ditur e për të parë më shumë nisi sa e sa të rinj drejt emigrimit, në kërkim të asaj që e quajnë “jetë më e mirë”. Një prej këtyre të rinjve ishte dhe Armando Mustafa, i cili u largua me gomone drejt Italisë së bashku me vëllain e madh.
Ndërkohë, i ati kishte hapur një restorant të vogël në Vlorë, restoranti i dytë në qytet asokohe. Dy vite më vonë, Armando zgjodhi të kthehej në vendlindje, për t’u bërë krah i familjes, e për të vazhduar atë që i ati kishte nisur. “Vlora ka patur zakonisht ushqimet e detit, pastaj ne kishim dhe një ndërthurje të kuzhinës së detit, peshkut, kallamarit, të gjitha prodhimet e detit. Po ashtu, kishim dhe një ndërthurje të kuzhinës greke me mishin e pjekur, me bërxollat, paidhaqet, e kështu kemi vazhduar. Nuk dinim anën ekonomike, se si funksiononte, thjesht dinim të gatuanim, pastaj duke punuar edhe gabonim edhe mësonim.
Ashtu siç fillova unë në vitet e para ka patur momente që thonim nuk ja dalim dot, kemi qenë net të tëra pa gjumë dhe në fund ja kemi dalë. Për të hapur një biznes sot është shumë e thjeshtë, qoftë te furnizimet te materialet. Sot për të bërë një biznes mundesh edhe brenda një jave, qoftë një muaj se ndoshta një javë është pak. Në kohën tonë s’kishim qoftë pjata, qoftë mbulesa, servise të tjera që duheshin, nuk gjeje pajisje kuzhine, nuk gjeje materiale” tregon Armando për fillimet e veta.
Restoranti që dikur ishte i thjeshtë e modest, sot është transferuar në zemër të Lungomares. Rregull, disiplinë dhe pastërti. Në kuzhinë u njohëm me të shoqen e Armandos, Edën, me të cilën ndanin një histori shumë të bukur dashurie që datonte këtu e 25 vite më parë. Në fakt, për ta dalluar, nuk është se kërkohej shumë kohë. “Vlera e investimit mund të jetë mbi 500 mijë euro. Kemi bashkëpunuar dhe me bankën Credins, ka edhe ajo meritat e saj. Në një moment të vështirë na ndihmoi me një kredi dhe normalisht që duhen dhe këto sepse nëse nuk bashkëpunon nuk vijnë sukseset. Edhe i vetëm mund t’ia dalësh por në një moment të tillë nuk mund ta realizosh dot dhe duhet ndihma e një njeriu. Që të marrësh një kredi për të zgjeruar një aktivitet nuk është keq, është gjë e mirë se të motivon, të mban në këmbë. Kemi qenë në ditë më të vështira, jo si sot që biznesi mund të jetë shumë i thjeshtë për t’u bërë. Në një qytet të tillë që ka turistë në çdo muaj të vitit… Ne kemi pritur klientë, s’ka patur klientë fare, mund të kemi qenë dhe ditë të tëra pa ardhur njeri,” thekson administatori i Mustafa Event.
Investimi më i fundit i Armandos ishte në krijimin e një salle të posaçme për evente. Në një vit, Mustafa Event organizon rreth 60 dasma. Kur u ngjitëm në katin e dytë, i gjetëm duke bërë përgatitjet për një ditëlindje që fillonte në mbrëmje. “Në fillim i bënim eventet tek ambienti poshtë që ka qenë dikur tek 150 m2, pastaj bëmë në kat të dytë një sallë që arriti te 250 m2. Me Credins kemi bashkëpunuar këto vitet e fundit, është në momentin që bëmë këtë investimin këtu bashkëpunuar dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më vonë. Në momentet e para kemi pasur atë frikën po të mos marr kredi, por momenti i parë është ashtu, kurse tani na duket shumë e thjeshtë dhe gjërat shkojnë mirë. Banka është një shtysë që të vazhdosh të ecësh në biznes dhe kjo duhet të jetë për të gjithë, qoftë dhe bankat duhet ta ndihmojnë biznesin, por dhe njerëzit nuk duhet të druhen nëse kanë besim te vetja dhe nëse përkushtohesh në diçka” shton më tej Armando.
Një nga problematikat që shtroi ai, ishte largimi i të rinjve nga Shqipëria. Vazhdimisht e përmendte këtë fakt si humbje, edhe për vendin, por edhe për ta. “Punëtorët që kemi një vit nuk i kemi vitin tjetër, sepse rinia mendon gjithë kohës që do të ikë jashtë. Disa djem që ishin kamerierë, mbaruan sezonin dhe donin të largoheshin dhe diskutuam për çfarë dëshironin të iknin jashtë, më thanë do ikim për një jetë më të mirë, sepse këtu nuk ka të ardhme. Të gjithë duhet t’i lënë këto mendime edhe duhet të rrinë këtu, të punojnë, të hapin aktivitetin, qoftë dhe të futen në shkollat profesionale edhe për kamerierë, sepse edhe kamerieri është zanat, është një profesion, nuk është thjesht se do të marr një këmishë dhe një pjatë dhe do të vi të shpërbej. Është profesion si kamerieri, si menaxhimi, si picajoli, kuzhinieri dhe banakieri; janë të gjitha profesione. Vlora ka mundësi, është qytet turistik dhe ka punë shumë. Kjo që është për tre muaj mund të shkojë dhe katër dhe pesë dhe gjashtë. Këtu janë 300 ditë me diell dhe nuk ka nevojë që të largohesh nga kjo mrekulli…” ndan më tej administratori i Mustafa Event.
Armando besonte tek ajo që thoshte. Përveçse kishte një staf prej të rinjsh, të cilët i bashkoheshin restorantit sapo mbaronin orarin e studimeve, edhe djali i madh i tij i ishte bashkuar restorantit, sapo kishte përfunduar shkollën për gastronomi. “Një ditë do të të japë atë që ti kërkon. Është e padiskutuar! Është diçka që e ka krijuar natyra. Nëse ti këmbëngul në diçka ajo do të vijë, do të vijë me atë guximin tënd, me përkushtimin tënd, me vendosmërinë tënde, një ditë do të të kthehet“. Është kjo mënyra se si Armando Mustafa, sipërmarrësi i suksesshëm nga Vlora, e mbyll intervistën tonë, me mesazhin më të bukur që mund të jepte, për cilindo që është gati të hedhë një hap tjetër në jetën e tij dhe të investojë jo vetëm për vete, por edhe për vendin të cilit i përket.
Nga Jenida VLADI/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.