Historike/Kosova bëhet me ushtri! Parlamenti voton me 105 vota pro, transformimin e FSK
Kosova ka tashmë Ushtrinë e saj. Deputetët e Parlamentit të Kosovës, me 105 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim kanë votuar kështu transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri. Lista serbe ndërkohë ka bojkotuar seancën plenare.
Të gjitha partitë politike kanë qenë të unifikuara në këtë votim historik. Kjo ngjarje shihet si historike për shkak të impaktit që ka. Përpara votimit ka pasur reagime të shumta, që nga Serbia e deri te faktori ndërkombëtar.
Serbia dhe Presidenti i saj Alaxandar Vuçiç janë shprehur se kjo lëvizje do të ketë pasoja. Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, është shprehur se ky është një moment historik. Por, ka pasur edhe rezerva. Bashkimi Europian duket se nuk është i bindur për këtë mënyrë të krijimit të ushtrisë së Kosovës.
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrinë e Kosovës nuk është bërë aspak me ndryshime kushtetuese, por me miratimin e tre projektligjeve që sjellin vetëm ndryshimin e mandatit të FSK, nga civile, në ushtarake, por duke i lënë të njëjtin emër.
Pra, Kosova do të ketë një forcë të saj ushtarake, por që do të mbajë emrin Forca e Sigurisë së Kosovës, ashtu siç ishte edhe më parë, por në ndryshim, votimi në Parlament tashmë i jep asaj tagrin e një ushtrie të mirëfilltë, duke bërë që Kosova të ketë një forcë ta aftë të mbrojë kufirin e saj të jashtëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.