Honda mbyll fabrikën në Britaninë e Madhe – Shkurtohen mijëra vende pune
Vendimi i prodhuesit të makinave japoneze për të mbyllur fabrikën në Angli do të thotë humbje të rreth 3.500 vendeve të punës.
Honda ka konfirmuar mbylljen e fabrikës së saj Swindon duke i dhënë një tjetër goditje të madhe industrisë së makinave të Britanisë së Madhe përpara Brexit. Honda njoftoi se do ta mbyllte fabrikën e vetme që ka në Europë në vitin 2021, kohë e cila përkon edhe me ciklin e prodhimit të modelit aktual.
Fabrika Swindon prodhon 150,000 Honda Civics në vit, shumica e tyre shkon për eksport në BE, gati një e dhjeta e prodhimit të përgjithshëm të automjeteve në Mbretërinë e Bashkuar. Honda ka të punësuar 3,500 njerëz dhe gjithashtu mbështet shumë punë të tjera në zinxhirin e furnizimit.
“Ky lajm është një goditje veçanërisht e hidhur për mijëra staf të kualifikuar dhe të përkushtuar që punojnë në fabrikë, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë të punësuar në zinxhirin e furnizimit.” -tha Greg Clark, sekretar i biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar se vendimi i Honda ishte “një vendim shkatërrues” për Swindon dhe Britaninë.
“Në dritën e ndryshimeve të papara që po prekin industrinë tonë, është jetike që ne të përshpejtojmë strategjinë tonë të elektrifikimit dhe të ristrukturojmë operacionet tona globale në përputhje me rrethanat” -tha Katsushi Inoue, shefi i operacioneve rajonale europiane dhe presidenti i Honda Motor Europe.
“Si rezultat, ne kemi dashur të marrim këtë vendim të vështirë për të konsultuar forcën tonë të punës mbi mënyrën se si ne mund të përgatisim rrjetin tonë të prodhimit për të ardhmen. Kjo nuk është marrë lehtësisht dhe vërtet na vjen shumë keq se sa shqetësuese do të jetë për punëtorët tonë.” –shtoi ai. Honda pritet të kthejë prodhimin përsëri në Japoni, pjesërisht sepse mund të garantojë eksport pa tarifa në BE.
Prodhuesit kryesorë të makinave të tilla si Jaguar Land Rover, Ford, Toyota, Nissan dhe BMW, gjithashtu kanë paralajmëruar për ndikimin që do të ketë një Brexit pa marrëveshje.
Burimi: The Guardian
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.