Hong Kongu, pranë recesionit – Qendra financiare aziatike goditet nga protestat dhe lufta tregtare
Hong Kong ndodhet pranë recesionit të parë në një dekadë ndërkohë që protestat e dhunshme kundër qeverisë po largojnë turistët, në një nga destinacionet më të mëdha të botës për pazar. Ekonomia u tkurr me 0.4% në tremujorin e dytë dhe kushtet janë përkeqësuar ndjeshëm që kur nisën protestat, duke mbyllur aeroportin dhe “paralizuar” qendrat e mëdha tregtare. Qendra financiare aziatike, që ka gjithashtu një nga portet më me fluks në të gjithë botën, është goditur gjithashtu nga lufta tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Qeveria deklaroi këtë javë se ka ulur projeksionet ekonomike për vitin 2019 në 0-1% nga 2-3% që kishte caktuar më parë. Tkurrja tremujore e Produktit të Brendshëm Bruto ishte më keq se projeksionet dhe erdhi pas një rritjeje me 1.3% në tremujorin e parë. Dy tremujorë radhazi të tkurrjes përkufizohen si recesion. Protestat e dhunshme me policinë që kanë zgjatur prej muajsh, kanë zhytur qendrën ndërkombëtare të biznesit në një nga krizat më të këqija që kur i’u dorëzua drejtimit kinez nga britanikët në vitin 1997.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.