Hotelet me 4 dhe 5 yje – Diferencime në paketën lehtësuese. Status të veçantë për investitorët
Lehtësitë fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje do të jenë të ndryshme duke përjashtuar tatimin mbi fitimin. Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosit investitorët në strukturat akomoduese me 5 yje do të përfitojnë nga paketa e plotë. Klosi shtoi se këto lehtësira fiskale që ofrohen do të nxisin investitorët strategjik për të investuar miliarda euro në këtë sektor.
“Për sa i përket diferencës ndërmjet 4 dhe 5 yjeve, taksën e tatim fitimit te dyja grupet hotelerie do ta përfitojnë. Për sa i përket reduktimit të TVSH-së me 6 %, hotelet me 4 yje nuk e përfitojnë, e përfitojnë vetëm si hoteleri por nuk e përfitojnë për menaxhimin e brendshëm, ndërkohë që ata me 5 yje e përfitojnë. Ndikimin në infrastrukturë hotelet me 4 yje nuk e përfitojnë, hotelet me 5 yje e përfitojnë. Taksën e pasurisë e përfitojnë të dyja grupet e hotelerisë.”
Për opozitën kjo paketë fiskale me ndërhyrje të tilla është klienteliste.
“Ndërhyrje të tilla krijojnë premisa për keqadministrim. Ndërhyrje të tilla janë klienteliste dhe kanë një premisë për shpëlarje të parave të pista.”
Komisioni i veprimtarisë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin votoi vetëm me votat e mazhorancës ndryshimin në ligjin për turizmin me propozim të ministrit Klosi për dhënien e statusit të veçantë për investitorët në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.