Huawei, rekord fitimesh – $52 mld shitje në 2018, fitimi në $9 mld
Gjigandi kinez i teknologjisë, Huawei publikoi rezultatet më të fundit sa i përket bilancit të kompanisë. Të dhënat rezultojnë me një rekord të ri fitimesh, rrjedhojë e shitjeve të larta. Këto të dhëna vijnë pavarësisht se gjigandi po përballet me një sërë akuzash dhe skandalesh sa i përket privatësisë dhe spiunazhit. Në konferencën e posaçme për shtyp në Shenzen, Huawei deklaron se shitjet e saj prekën rekordin e 52 miliardë dollarëve përgjatë 2018-ës. Duke marrë shtysë nga modelet kryesore të saj, si smartphonet e serisë P dhe ata të serisë Mate.
Rezultati është në linjë me pritshmëritë e kompanisë të deklaruara që në muajin Janar. Asokohe, Huawei deklaronte se mund të bëhej shitësi më i madh i telefonave inteligjentë në botë, që këtë vit. Fitimi neto i kompanisë për 2018 fiksohet kështu në 8.8 miliardë dollarë, në rritje me 25% në krahasim me vitin e kaluar.
Kreu i kompanisë, Guo Ping i bëri thirrje Wahingtonit që të lërë manjanë sjelljen prej humbësi, duke i`u referuar kështu akuzave për spiunazh. Sipas Huawei, Pekini nuk ka aspak kontroll mbi kompaninë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.