Humb jetën ambasadori i Italisë – Autokolona ku udhëtonte goditet nga persona të armatosur
Ambasadori i Italisë në Republikën Demokratike të Kongos dhe dy persona të tjerë janë vrarë në një sulm ndaj një autokolone të Kombeve të Bashkuara në lindjen e paqëndrueshme të vendit të Afrikës Qendrore.
Karvani nga Programi Botëror i Ushqimit u sulmua rreth orës 10.15 të mëngjesit me kohën lokale gjatë një përpjekjeje për rrëmbim pranë qytetit të Kanyamahoro, rreth 10 milje në veri të kryeqytetit rajonal, Goma, tha një zëdhënës i parkut kombëtar Virunga.
Luca Attanasio dhe një polic ushtarak që udhëtonte me të u vranë, tha ministria e jashtme italiane në një deklaratë. Një shofer gjithashtu vdiq në sulm, thanë burime diplomatike dhe zyrtarë lokalë.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kush ishte prapa sulmit, por rruga në të cilën po udhëtonte autokolona është një vend ku shpesh bëhen sulme nga banditë dhe milici e armatosur.
Dhjetëra grupe të armatosura veprojnë në dhe përreth Virunga, e cila shtrihet përgjatë kufijve të DRC-së me Ruandën dhe Ugandën. Rojet e parkut janë sulmuar vazhdimisht, përfshirë gjashtë që u vranë në një pritë muajin e kaluar.
D.B – SCAN
Burimi: Euronews
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.