IEA rrëzon çmimet e naftës – Ul parashikimin për kërkesën në 2017 dhe 2018
Çmimet e naftës kanë thelluar humbjet edhe në sesionin e sotëm, duke rënë me mbi 1%, për shkak të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, që hedh dyshime në lidhje me kërkesën në të ardhmen.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61.3 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e së martës ra me 1.4%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55 dollarë për fuçi, pas humbjeve me 1.3% në sesionin e kaluar.
Rënia e çmimeve nënkupton se, tashmë nafta ka humbur rreth 5% të vlerës që nga java e kaluar, kur preku nivelin më të lartë që nga viti 2015. Në këtë mënyrë, dy bençmarkët kryesorë i kanë dhënë fund rritjes me 40% në periudhën Qershor-Tetor.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e uli me 100 mijë fuçi në ditë, parashikimin për kërkesën globale, gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm, në një mesatare prej 1.5 milionë fuçi në ditë për 2017 dhe 1.3 milionë fuçi për 2018.
Ngadalësimi i kërkesës nënkupton se, konsumi i naftës nuk do të arrijë nivelin e 100 milionë fuçive, ashtu siç pritej, ndërsa oferta do të kalojë këtë nivel.
Gjithashtu, edhe Instituti Amerikan i Naftës deklaroi se, rezervat e naftës u rritën me 6.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 10 nëntor, në totalin e 461.8 milionë fuçive.
Edhe në krahun e ofertës, rritja e prodhimit amerikan ka vendosur nën presion çmimet. Që nga mesi i vitit 2016, prodhimi i naftës argjilore në SHBA është rritur në 9.62 milionë fuçi në ditë dhe pritet që të rritet edhe më tej.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.