“Ikën” policia gri – Gjiknuri pezullon kontrollet, ristrukturim Transportit Rrugor
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka pezulluar veprimtarisë e ushtrimit të kontrollit në rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë.
Përmes urdhrit, që mban datën 15 shtator, kreu i Energjisë përcakton se pezullimi i veprimtarisë së kontrollit në rrugë do të bëhet deri në ristrukturimin e këtij institucioni dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme të Rregullores së Zbatimit të Kodit Rrugor.
Praktikisht, firmosja e këtij dokumenti sjell ‘heqjen’ e të ashtuquajturës ‘Policia Gri’, masë që u paralajmërua edhe nga kryeministri, Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Po ashtu, gjatë prezantimit të programit të dikasterit që ai drejton edhe Gjiknuri, tha se kjo polici do të hiqet nga rrugët, ndërsa do të riorganizohen edhe drejtoritë rajonale të mirëmbajtës.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht, kontrolli në rrugë ushtrohet në vende rastësore nga strukturat përkatëse të kësaj drejtorie, edhe pse rregullorja referon që kontrolli ushtrohet në vende të posaçme, të përcaktuara me Udhëzim.
Sipas këtij dikasteri, ushtrimi i kontrollit në vende të papërshtatshme paraqet rrezikshmëri, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, por edhe për atë të kontrollorëve të rrugëve.
Gjithashtu, kontrolli ka shpesh mbivendosje me kontrollin e ushtruar nga organet e tjera të siç janë shërbimet e Policisë Rrugore dhe organet tatimore, duke sjellë shqetësime dhe pengesa në punën e operatorëve të transportit, deri në abuzime ndaj tyre dhe shkelje të sigurisë rrugore.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.