ILDKPKI në sitë 1,417 zyrtarë – Ganaj: 115 nëpunës janë kallëzuar në prokurori, 54 gjoba për refuzim deklarimi apo pasaktësi
Për vitin 2019, ILDKPKI ka bërë 115 raste kallëzime penale dhe referime të tjera në drejtim të zyrtarëve publikë ndërkohë që ka vendosur 54 gjoba për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore për deklarimin e pasurisë. Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ka raportuar të mërkurën në Kuvend, duke bërë me dije se janë administruar gjatë vitit 2019 3.868 deklarata të interesave privatë. Ndër to, ILDKPKI ka kaluar në kontroll të plotë në total 1,417 subjekte deklarues, si për shkak funksioni, ashtu edhe bazuar në informacione të ardhura nga denoncimet në numrin e institucionit, postën zyrtare dhe elektronike, apo në median e shkruar, audio-vizive.
Po ashtu, Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2019, ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe Policisë së Shtetit, 430 subjekte, në të cilët janë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetarë Bashkie, Drejtorë Drejtorie etj.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.