Impiante diellore nga KESH – Aplikimi pranë MIE, impiant fotovoltaik në HEC Vau Dejës
Korporata Elektro Energjetike Shqiptare ka rikthyer në vëmendje planet për ndërtimin e impianteve fotovoltaike në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Kompania publike e gjenerimit të energjisë elektrike ka dorëzuar aplikimin pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për një impiant 5.143 Mwp në digën e Qyrsaqit, HEC Vau Dejës. Ndërkohë që, palët e interesuara mund të dërgojnë objeksionet apo komentet e tyre për këtë projekt. Kjo nuk është hera e parë, që KESH projekton shtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë, përmes ndërtimit të impianteve fotovolatike.
Një aplikimi i ngjashëm u bë edhe në vitin 2018, ku parashikohej ndërtimi i një paneli me kapacitet 12.9 MË dhe sipërfaqe 118 mijë metra katrorë mbi liqenin e Vaut të Dejës, duke shmangur zënien e hapësirave tokësore dhe shfrytëzimin më të mirë të diellit mbi zonën ujore. Në atë kohë KESH bëri me dije se, duke patur parasysh se instalimi i sistemeve fotovoltaikë shoqërohet me kërkesë të lartë për sipërfaqe toke, e për rrjedhojë për të ruajtur maksimalisht burimet e vlefshme tokësore dhe ujore, konsiderohej si i përshtatshëm instalimi i sistemeve fotovoltaikë në sipërfaqen ujore të rezervuarit të HEC- Vau i Dejës, i cili shfaq një sërë avantazhesh krahasuar me sistemet fotovoltaike të instaluara mbi tokë.
Kjo pasi, sipas KESH ekzistojnë më pak barriera që ulin rrezatimin si dhe eficencë më të lartë të gjenerimit të energjisë elektrike për arsye të teknologjisë së avancuar që do të zbatohet. Ndërkaq, sipas një dokumenti të publikuar në korrik të vitit 2020, kosto totale e këtij projekti arrin në 13.940.000 euro, teksa KESH ka kërkuar mbështetjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes një huaje me një vlerë prej 9.75 milionë Euro.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.