Impianti i ri i Bovillës drejt nisjes së punimeve – Kompensohen 80 familjet e prekura në Zall-Bastar
Investimet në rrjetin e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës duket se janë duke iu afruar fazës së nisjes së punimeve. Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit edhe fondin për kompensimin e familjeve që preken nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës.
Bëhet fjalë për 80 familje të fshatrave Zall-Mëner dhe Bulçesh në komunën Zall-Bastar, të cilat do të kompensohen në vlerë të plotë.
Shuma e përgjithshme e kompensimit kap shifrën 82.6 milionë lekë, vlerë e cila do të përballohet nga buxheti i këtij viti nga fondi i shpronësimeve. Sa i takon shpenzimeve procedurale, në vlerën 70 mijë lekë, ato do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, institucion përgjegjës edhe për kryerjen e likuidimeve.
UKT ka marrë një kredi prej 34 milionë eurosh nga BERZH për përmirësimin e infrastrukturës. Një pjesë e kësaj vlere, 15 milionë euro do të shkojnë për të zgjeruar kapacitetin e Impiantit të Trajtimit të Ujit të Bovillës, si edhe për ndërtimin e një tubacioni të ri, i cili do të shpërndajë ujin nga ky impiant në pjesën veri-perëndimore të kryeqytetit përmes gravitetit.
Ndërkohë, pas kryerjes së studimit për Burimet Strategjike të ujit, do të hartohen edhe projektet për shfrytëzimin e burimeve të reja të ujit si ai i Gurit të Bardhë. Investimet totale do të kapin vlerën rreth 220 milionë euro, me qëllimin që në 5 vite të realizohet furnizimi 24 orë me ujë i kryeqytetit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.