Importi i grurit/ Në Janar-Maj 2020 u rrit me 76%. Prodhimi vendas plotëson vetëm 48% të nevojave
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë vizitës së tij në një nga fermat të mëdha në vend, që kultivon rreth 500 Ha me drithë i cili shitet i gjithë në tregun vendas, premtoi mbështetje për fermerët e kësaj zone përmes programit IPARD dhe investimeve në infrastrukturën e sistemit të ujitje-kullimit.
“Bashkë me kryetarin e Bashkisë Dropull i lashë porosi që të bëjmë një projekt për kanalin kullues dhe vaditës, në mënyrë që këta fermerë të mos vuajnë për asnjë sekondë për ujë. Për të gjithë pjesën e nevojave për makineri bujqësore, programi IPARD është një mundësi shumë e mirë. Ju mirëpresim që të aplikoni për të rinovuar flotën e makinerive bujqësore që nevojiten për këtë procesim gjigant që ka nevojë kjo fermë”, tha Çuçi.
Sipas Çuçit gjatë vitit 2019 qarku Gjirokastër kishte të kultivuar rreth 2 mijë Ha me grurë ndërsa prodhimi ishte 6, 228 ton. “Shqipëria plotëson rreth 48% të nevojave për grurë me prodhimin vendas. Pjesa tjetër importohet nga jashtë ndërsa për sa i përket eksporteve, ato janë në nivele shumë të ulta,” u shpreh ministri.
Ndërkaq sipas njoftimit për vitin 2019 eksporti i grurit ka qenë rreth 650 ton, sasi e cila është eksportuar e gjitha në Kosovë si dhe në fillim të vitit 2020, nisur edhe nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19, importi i grurit për periudhën janar – maj 2020 ka qenë 126 mijë ton ose 75.7% më shumë se për të njëjtën periudhë në vitin 2019.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.