Importi i mbetjeve – Debat për ligjin, por importi vazhdon
Debati për importin e mbetjeve është rikthyer menjëherë pas zgjedhjeve, ndërkohë që ligji i ndryshuar ka ngelur pezull që vitin e kaluar, për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy aleatëve të ish-koalicionit qeverisës.
Por, ndërkohë që prej një viti debatohet ashpër rreth ndryshimeve në ligj, në fakt, importi i mbetjeve në Shqipëri nuk është ndërprerë asnjëherë, të paktën deri në vitin 2015, kur disponohen statistika zyrtare.
Mbështetur në të dhënat e Instat, për vitin 2015, Shqipëria importoi 60 mijë tonë mbetje. Sasia e mbetjeve të importuara është reduktuar në krahasim me vitet 2013 dhe 2014, kryesisht falë ndërprerjes së importit të skrapit nga kompania “Kurum”.
Por, ndërkohë që nuk është importuar më skrap, për vitin 2015 ka vijuar importi i mbetjeve të tjera, veçanërisht të aluminit apo gomës. Për vitin 2015, në Shqipëri u importuan afro 6700 tonë mbetje alumini dhe rreth 435 tonë mbetje të gomës.
Në veçanti, këto të fundit kanë ngritur gjithnjë shqetësime për ndotjen e rëndë mjedisore, duke qenë se shpeshherë janë përdorur si lëndë djegëse në furrat e gëlqeres.
Ndërsa ka vijuar importi i mbetjeve industriale, për vitin 2015 ka nisur në mënyrë masive importi i mbetjeve të industrisë ushqimore. Bëhet fjalë për krundet dhe mbetjet e tjera nga përpunimi i drithit, si edhe për bërsi dhe mbetje të tjera nga vajrat organikë.
Mund të hipotizohet se mbetjet e drithërave importohen si ushqim për kafshët. Ndërsa nuk është shumë e qartë nëse mbetjet nga përpunimi i vajit përdoren si lëndë e parë në industrinë ushqimore, në industri të tjera apo si lëndë djegëse.
Sidoqoftë, importi i tyre në sasi të mëdha ngre shqetësime të lidhura më sigurinë ushqimore apo së paku me ndotjen e mjedisit.
Ndërkohë që shoqëria vazhdon të debatojë rreth ndryshimit të ligjit dhe rreth faktit nëse duhet të importojmë apo jo mbetje, realiteti është që mbetjet vazhdojnë të importohen prej vitesh.
Në fakt, ligji në fuqi, i vitit 2011, e mundëson importin e mbetjeve të konsideruara si jo të rrezikshme me autorizim të Këshillit të Ministrave.
Duke parë llojet e mbetjeve dhe sasitë e importuara në vitet e fundit, është e qartë se qeveria nuk është treguar aspak dorështrënguar në dhënien e këtyre autorizimeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.