Importi i plastikës, rekord historik – 26 miliardë lekë në 2018, si asnjë vit më parë
Ndërkohë që qeveria shqiptare, por edhe pushteti vendor, po bëjnë përpjekje për të ulur ndjeshëm përdorimin e plastikës, importet e plastikës si lëndë e parë kanë prekur një rekord të ri historik në vend.
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave për tregtinë e jashtme, tregojnë se, përgjatë 2018-ës, në Shqipëri u importuan plot 95 tonelata plastikë, nga 86 tonelata të vitit paraardhës.
Në vlerë monetare ndërkohë, flitet për 26 miliardë lekë, nga 24.8 miliardë lekë të vitit paraardhës. Në të dyja rastet, si në peshë, ashtu edhe në vlerë, kemi të bëjmë me një rekord historik.
Po të flasim për peshën neto, grafiku i importeve nga vitit 2005 deri në vitin 2018 ka këtë formë ( grafik 1 ), çka tregon më së miri se stoku plastikës në vend vetëm rritet.
Plastika është një ndër armiqtë numër një të ambientit dhe në nivel botëror prej vitesh ka filluar një luftë ndaj këtyre produkteve.
Në Shqipëri ndërkohë kanë filluar lëvizjet e para, që prej ndalimit të përdorimit të qeseve plastike nga disa bashki, si ajo e kryeqytetit, apo me ndryshimet fiskale për ambalazhet plastike.
Në shifrën e përgjithshme të plastikës dhe produkteve të saj që janë importuar në vendin tonë, nuk figuron aspak plastika e konfeksioneve të ndryshme, por vetëm ajo si lëndë e parë, çka do të thotë se stoku i plastikës në vend, i magazinuar por edhe i hedhur tashmë si mbeturinë, është shumë më i lartë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.