Inceneratori i Elbasanit – Librazhdi i përgjigjet kërkesës së Gjiknurit, tender për transportin e mbetjeve
Përveç Elbasanit dhe Cërrikut, edhe Bashkia e Librazhdit do të depozitojë mbetjet në inceneratorin e Elbasanit. Pas kërkesës së ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë për nevojën për mbetje me qëllim funksionimin e këtij impianti kjo bashki ka hapur një tender, që ka si objekt transportimin e mbetjeve urbane nga qyteti i Librazhdit pikërisht në këtë incenerator.
Në total, ky institucion do të shpenzojë rreth 1.1 milion lekë për këtë shërbim deri në fund të vitit 2018. Ndërkohë që, ofertat nga kompanitë e interesuar duhet të dorëzohen deri në datën 30 prill.
Një muaj, më parë teksa inspektoi impiantin e djegies së mbetjeve me prodhim energjie në Qarkun e Elbasanit, Gjiknuri i kërkoi jo vetëm autoriteteve lokale, por edhe qeverisë të trajtojnë në terma afatgjatë nevojën për mbetje.
Kjo pasi, aktualisht, sasitë mbetjeve të Elbasanit dhe Cërrikut janë të pamjaftueshme, ndërkohë që kapaciteti i inceneratorit është më i madh dhe është llogaritur të mbulojë mbetjet e të gjitha bashkive të Qarkut Elbasan.
Paralelisht me këtë impiant, është duke u ndërtuar edhe ai i Fierit dhe Tiranës, ndonëse ata janë konsideruar si ekspertët si rrezik për ambientit, por edhe për industrinë e riciklimit.
Ndërkohë që, Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka deklaruar publikisht se kjo do t’i hapë rrugën importit të mbetjeve, pasi teknologjia e impianteve nuk lejon fikjen e ndezjen e tyre sipas sasisë së plehrave, por ato duhet të djegin 24 orë në 365 ditë të vitit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.