Indeksi global i sipërmarrjes 2018 – Shqipëria bie me tre pozicione, e 83-ta në botë
Shqipëria është zhvlerësuar edhe këtë vit në indeksin global të sipërmarrjes, duke zbritur nga vendi i 80-të në renditje, në vendin e 83-të, ndër 137 ekonomi të ndryshme të globit. Këto të paktën janë përfundimet e “Indeksit Global të Sipërmarrjes 2018”, ku Shqipëria grumbullon 24.2 pikë.
Ky indeks mat të dhëna sa i përket sjelljes, aftësive dhe aspiratave të sipërmarrjes duke i peshuar ato kundër infrastrukturës sociale dhe ekonomike të çdo vendi, që përfshin edhe linjat e transportit me vendet e tjera apo rrjetin e komunikimit. Indeksi i përgjithshëm përmban edhe 14 nën-indikatorë në bazë të kategorive të ndryshme.
“Indeksi global i sipërmarrjes 2018”, matet nga Instituti Global për Zhvillimin dhe Sipërmarrjen. Në vitin 2014 ndërkohë, Shqipëria mbante vendin e 72-të në renditjen globale. Shqipëria, Bosnje Hercegovina dhe Armenia janë tre vendet me performancën më të dobët në Europë.
Sa i përket nën-indikatorëve ndërkohë, që në total janë 14, Shqipëria shfaqet me disa fytyra. Performanca më e mirë regjistrohet në drejtim të aftësive të start-up, ndërkohë që performanca më e dobët është në drejtim të pranimit të rrezikut.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.