Indeksi për udhëtim dhe turizëm/Shqipëria, 1 në 15 vendet më të përmirësuara në 2017-ën
Shqipëria është 1 ndër 15 vendet më të përmirësuara në Indeksin e Konkurrueshmërisë për Udhëtim dhe Turizëm në vitin 2017.
Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror konstaton se disa ekonomi në zhvillim, ku bën pjesë edhe vendi ynë, kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatet e tyre të performancës, nga viti 2015.
Sipas raportit kjo do të thotë se këto vende po sigurojnë kushte më të mira për të tërhequr dhe mirëpritur turistë, të cilët do të udhëtojnë për herë të parë në dekadën e ardhshme.
Referuar renditjes të 136 vendeve, Shqipëria zë vendin e 98-të në këtë indeks, ndërkohë që ajo lihet pas nga Maqedonia, që zë vendin e 89-të. Sipas të njëjtit vlerësim, në krahasim me vendet e rajonit, vendi ynë le pas Bosnjën dhe Hercegovinën, që listohet e 113-a.
Ndërkaq, sipas raportit më të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, Shqipëria u rendit në vendin e 96-të për nga ndikimi absolut i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto, nga vend i 120-të që ishte në vitin 2015.
Sipas vlerësimit, ku u përfshinë 185 shtete, Shqipëria në vitin 2016 renditet, në vendin e 26-të për nga ndikimi relativ ndaj PBB-së, në vendin e 61-të për nga parashikimi i rritjes për vitin 2017 dhe në vendin e 26-të për periudhën afatmesme.
Të dhënat treguan se kontributi direkt i turizmit shqiptar ndaj PBB-së u llogarit në afërsisht një miliard dollarë, ndërsa pritet që gjatë 2017-ës, kjo shifër të rritet me rreth 5.2%.
Ndërkohë që, sipas parashikimeve në vitin 2027 ky tregues do të arrijë në 11%. Sa i takon pozicionimit, me vendet e rajonit, raporti i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, vëren se kontributi i industrisë së udhëtimit dhe turizmit ndaj PBB-së e rendit Shqipërinë në vendin e 105-të, duke lënë pas Malin e Zi dhe Bosnjë – Hercegovinën.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.