| Celularët, Shqipëria 83 herë më e shtrenjtë se Danimarka |
| Përfaqësuesit e operatorit të katërt të telefonisë celulare vazhdojnë të heshtin lidhur me vonesën e nisjes së aktivitetit nga ana e tyre. Të kontaktuar nga televizioni Scan, dy përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë i janë shmangur kërkesës për një intervistë lidhur me ecurinë e punës për nisjen e aktivitetit të operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme. Kujtojmë që ofrimi i shërbimeve të telefonisë celulare është një shërbim publik, që i është dhënë shoqërisë Mobile 4 Al me një ligj të veçantë nga qeveria shqiptare.Në heshtje vazhdon të qëndrojë edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Kërkesa e televizionit Scan për një intervistë me kryetarin e Bordit ende nuk ka gjetur përgjigje. Autoriteti mbikqyrës i tregut të telekomunikacioneve po kalon një fazë apatie dhe bllokimi, pas shkarkimit të Këshillit të mëparshëm dhe emërimit të Këshillit të ri drejtues. Këshilli drejtues i AKEP ende nuk ka miratuar variantin përfundimtar të analizës së tregut, që është paraqitur për konsultim publik që në muajin korrik të vitit 2009. Kjo analizë tregu do të shërbejë si bazë për të vendosur nëse do të ketë ndërhyrje të mëtejshme në tregjet me pakicë të telefonisë celulare. Megjithë uljen e çmime dy vitet e fundit nga Autoriteti Rregullator dhe nga efekti i hyrjes në treg të operatorit të tretë, tarifat e telefonisë celulare në Shqipëri vazhdojnë të jenë të larta. Në Danimarkë një qytetar shpenzon 0.1% të të ardhurave mujore për paketën bazë të shërbimeve celulare, ndërsa në Suedi 0.2%. Ndërkohë, në Shqipëri një qyetar shpenzon mesatarisht 8.3% të të të ardhurave mujore për të njëjtën paketë bazë shërbimesh. |