Asnjë gjurmë e operatorit të katërt
Shkelen afatet për licencën e katërt të telefonisë celulare. Sipas ligjit të miratuar në 23 prill të vitit 2009, që i jepte licencën e katërt konsorciumit të përbërë nga disa biznesmenë shqiptarë dhe Post Telekomunikacioni i Kosovës, operatori i katërt duhet të niste ofrimin e shërbimit brenda 6 muajve nga marrja e licëncës. Por, ndonëse kanë kaluar 9 muaj nga dhënia e saj, ende nuk ka asnjë sinjal se operatori i katërt do të nisë aktivitetin. Ndonëse afati ligjor ka skaduar, autoriteti i komunikimeve elektronike nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar për këtë problem. Me një ligj të veçantë dhe duke anashkaluar procedurat e zakonshme ligjore, qeveria i dha licëncën e katërt të shërbimeve të telefonisë së lëvizshme subjektit Mobile 4 AL, i përbërë nga Post-Telekomunikacioni i Kosovës si investitor strategjik, si edhe nga shoqëritë shqiptare Union Group, Albania Drink Distribution, ACI Enginering dhe Balfin. Pasi tenderi i shpallur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dështoi dy herë radhazi, qeveria shqiptare vendosi të pranojë ofertën prej 7.2 milion eurosh të konsorciumit shqiptaro-kosovar. Kriteri kryesor në tender ishte paketa e tarifave dhe subjekti që do të ofronte shportën e çmimeve më të ulëta merrte 45 nga 100 pikë të mundshme. Konsumatori shqiptar kishte pritshmëri të lartë se hyrja në treg e opratorit të katërt do të sillte ulje të mëtejshme të çmimeve. Por deri tani nga operatori i katërt nuk ka asnjë shenjë, çka përforcon dyshimet se marrja e licencës nuk ishte një strategji serioze për të hyrë në tregun e telekomunikacioneve, por një tentative për tregti të rëndomtë dhe e kundraligjshme me licencën e marrë.