AKEP hesht për operatorin e katërt, tarifat mbeten ndër më të lartat në Europë
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vazhdon të mos mbajë asnjë qëndrim për vonesën e nisjes së aktivitetit të operatorit të katërt celular. Megjithë këmbënguljen e vazhdueshme të televizionit Scan, drejtori i ri ekzekutiv i Autoritetit e ka shtyrë vazhdimisht prononcimin lidhur me këtë problem. Sipas ligjit të miratuar nga qeveria në muajin prill të vitit të kaluar, operatori i katërt duhet të kishte nisur aktivitetin që në tetor. Ndërkohë që hyrja në treg e operatorit të katërt të telefonisë celulare po zvarritet, Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të shtrenjta në Europë, për sa i takon tarifave të telefonisë celulare. Sipas raportit më të fundit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, në vitin 2009 kosto e shportës bazë të shërbimeve celulare në Shqipëri zë 8.3% të të ardhurave mujore për frymë. Me këtë vlerë, shqiptarët shpenzojnë disa herë më shumë për thirrjet me celular krahasuar me vendet e rajonit dhe dhjetëra herë më shumë me vendet ku shërbimet celulare janë më të lira. Në Maqedoni shporta bazë e shërbimeve celulare zë vetëm 4.6% të të ardhurave mujore për frymë, në Kroaci 2.1% ndërsa në Serbi vetëm 1.3%.