India kalon 24 milionë infeksione / Varianti përhapet në botë. Shqetëson autoritetet mbi transmetueshmërinë
Numri i rasteve të regjistruar me Covid-19 në Indi është rritur sipër 24 milionë, ndërkohë që është raportuar se varianti tejet i transmetueshëm që është zbuluar fillimisht në vend, po përhapet në të gjithë botën. Varianti indian B.1.617 i virusit është zbuluar në 8 vende, përfshirë SHBA dhe Kanada, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Njerëzit e infektuar nga varianti përfshijnë udhëtues në Panama dhe Argjentinë, që kishin mbërritur nga India apo Evropa. Varianti indian është zbuluar gjithashtu në shumë Britani, Singapor dhe shumë ishuj në Karaibe. Sipas zyrtarëve të OBSH, i vetmi shqetësim deri më tani mbi virusin është rritja e transmetueshmërisë. Instituti i Shëndetit Publik në Angli deklaroi se numri i rasteve me variantin është dyfishuar në javën e fundit, në rreth 1,313 në Mbretërinë e Bashkuar. “Jemi të shqetësuar mbi të, pasi po përhapet”- tha Kryeministri Boris Johnson, duke shtuar se do të zhvillohet një takim emergjent për të. India regjistroi 4,000 vdekje dhe mbi 343mijë infeksione të reja në 24 orët e fundit. Kjo ishte dhe dita e tretë e mbi 4,000 vdekjeve, pavarësisht se infeksionet kanë qëndruar poshtë majës prej 414,188 të prekur në javën e fundit. Mungesa e testimeve dhe përhapja e virusit në zonat rurale të Indisë, ku ka mungesë të informacionit, ka bërë që ekspertët të mendojnë që shifrat e vërteta të jenë 5-10 herë më të mëdha.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.