India zbut masat e karantinës / “Vatra” botërore e pandemisë regjistron rënie të rasteve
Shumë shtete indiane kanë zbutur masat e koronavirusit në nisje të Javës, përfshirë kryeqytetin New Delhi, ku autoritetet kanë lejuar të gjithë dyqanet dhe qendrat tregtare që të hapen, ndërkohë që numri i infeksioneve të reja ra në nivelin më të ulët në mbi 2 muaj. Ekspertët kanë paralajmëruar kundër rihapjes së plotë, ndërkohë që India ka vaksinuar vetëm 5% të popullsisë së rritur prej rreth 950 milionë. Infeksionet arritën majën në muajin e kaluar, me rreth 400,000 raste të reja në ditë, por kanë rënë gradualisht që prej atëherë, duke shënuar 70,421 ditën Hënë, që është numri më i ulët ditor që prej 31 Marsit, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Numri i vdekjeve u rrit me 3,921, sipas të dhënave zyrtare. India ka shifrën e dytë më të madhe të infeksioneve me Covid019 në botë pas SHBA, me 29.51 milionë raste dhe 374,305 vdekje. Autoritetet në New Delhi lejuan dyqanet dhe qendrat tregtare që të rihapen, pavarësisht se baret, palestrat, sallonet, kinematë vazhdojnë të jenë të mbyllura. Autoritetet thonë se tregjet dhe restorantet do të vëzhgohen me kujdes këtë javë, dhe nëse rriten rastet, do të duhet të rivendoset karantina. Spitalet në New Delhi kanë hasur vështirësi të ofrojnë cilindra me oksigjen dhe shtretër tek pacientët në muajin e kaluar. Megjithatë, më herët gjatë muajit, qyteti lejoi hapjen e bizneseve me 50% të stafit si dhe rikthimin e pjesshëm të transportit publik.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.