Indiferencë apo mosbesim? Pak denoncime për korrupsionin te bluzat e bardha!
Në datën 12 korrik, kryeministri Edi Rama publikoi një raport përmbledhës, hartuar pas leximit dhe kategorizimit në dosje të veçanta të gjithë komenteve të qytetarëve, në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ me titull “Eksperienca juaj negative”. Raporti, që sipas Ramës i është vënë në dispozicion grupit të punës për reformimin rrënjësor të rrjetit të zyrave të shtetit, u shoqërua edhe me emrat e 101 zyrtarëve, ndër të cilët edhe mjekë dhe punonjës të sistemit shëndetësor. Po ashtu, për sektorin shëndetësor u regjistruan edhe 78 denoncime të korrupsionit të mjekëve, infermierëve, mungesës së medikamenteve dhe neglizhencës apo keqtrajtimit në dyert e spitaleve apo qendrave shëndetësore. Në raport me instiucionet e tjerë, ku qytetarët mund të drejtohen për të kërkuar të drejtat e mohuara në institucionet shëndetësore, numri i ankesave është i konsiderueshëm nëse kemi parasysh faktin se ato u “depozituan” në harkun kohor të 3 ditëve. Madje, duket se qytetarët zgjodhën pikërisht kryeministrin për të nxjerrë në pah problemet me korrupsionin në bluzat e bardha. Kjo pasi, referuar institucioneve të tjerë: si Ministria e Shëndetësisë, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë apo Avokati i Popullit, ky problem është referuar pothuajse aspak nga ana e pacientëve apo familjarëve. ‘Scan Magazine’ shqyrtoi të dhënat mbi ankesat e mbërritura pranë këtyre institucioneve, nga të cilat rezulton se numri i denoncimeve, është pothuajse i papërfillshëm. I vetmi institucion, që raporton disa raste të tilla është UMSH, por nëse kemi parasysh faktin se sipas Barometrit Global të Korrupsionit, 2013, të “Transparency International” (i fundit i disponueshëm), 80% e shqiptarëve mendojnë se sektori shëndetësor është i korruptuar, atëherë raporti i denoncimeve konsiderohet tejet i ulët. Mosbesim ndaj institucioneve apo indiferencë për të denoncuar, ankesat reale duken inekzistente, nëse i referohemi të njëjtit raport të TI-së, i cili e rendit Shqipërinë, 1 nga 6 vendet më të korruptuara për shërbimet shëndetësore.
Korrupsioni në shëndetësi
Neni 259 i Kodit Penal, parashikon dënimin me gjobë deri në burgim për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, ku bëjnë pjesë edhe mjekët. Sipas tij, “kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë”. Në fushën e kujdesit shëndetësor ka disa drejtime ku ekziston korrupsioni e më konkretisht ai haset: Në prokurime, në punësimin e stafit mjekësor dhe në marrëdhënien e stafit shëndetësor me pacientët. Referuar këtij të fundit, sipas Qendrës Kombëtare për Shërbime Komunitare, ka një debat në lidhje me interpretimin, nëse duhet të konsiderohet si korrupsion shpërblimi apo pagesa, kur kjo jepet pasi operacioni apo vizita mjekësore është kryer. “Debati qëndron pikërisht në faktin se, vërtet shërbimi i asaj dite është kryer dhe pagesa nuk ka ndikim në cilësinë e tij, por pagesa mund të jepet për të pasur bashkëpunimin e doktorit për shërbimet vijuese të mundshme pas shërbimit të parë”,-thuhet në një raport të kësaj qendre, hartuar në vitin 2016. “Ryshfeti është një mënyrë joformale për të shtuar të ardhurat e stafit mjekësor. Ai sjell pabarazi në aksesin, cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe qarkullim të parasë në mënyrë informale, pa paguar taksat dhe tatimet që paguajnë bizneset e ligjshme. Ryshfeti në shëndetësi mundëson një privatizim të pjesshëm të sektorit publik, ku pacientët financojnë shërbimin shëndetësor nëpërmjet pagesave informale, duke pakësuar kështu barrën e financave publike për të financuar shërbimin shëndetësor”,-shtohet në këtë dokument. Në Shqipëri mungojnë të dhënat zyrtare në lidhje me fenomenin e korrupsionit në sektorin shëndetësor. Por, një studim pilot i realizuar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare, gjatë periudhës nëntor 2015 – shkurt 2016, arriti në përfundimin se në institucionet e kujdesit shëndetësor të Tiranës, korrupsioni shfaqet në të gjitha nivelet. Në studim u përfshi një kampion prej 500 pacientësh në spitalet dhe qendrat shëndetësore të kryeqytetit, të cilët u pyetën për eksperiencën e tyre në ambientet e institucioneve shëndetësore. Pas përpunimit të përgjigjeve rezultoi se, në këto ambiente “paguhet roja për të mundësuar hyrjen në pavion; infermierja për kryerjen e analizave, mjekimit; sanitarja për ndërrimin të rrobave apo panolineve të pacientit; mjeku për vizitë të kujdesshme, për kryejen e operacionit pa radhë apo që të tregojë kujdes gjatë tij, si dhe në formë mirënjohjeje për kujdesin e kërkuar”.
Ministria: Në shëndetësi nuk ka korrupsion!
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve një numër të gjelbër, ku mund të depozitohen ankesat, përfshirë edhe rastet e mitmarrjes nga bluzat e bardha. Krahas numrit 0800 8111, të interesuarit mund të denoncojnë edhe në adresën antikorrupsioni@shëndetësia.gov.al, çdo shkelje të të drejtave të tyre. Sipas Tomi Thomo, drejtor i Përparimit Shëndetësor, Kontrollit të Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve, në MSH, çdo ditë pranë numrit të gjelbër depozitohen 5-10 ankesa, për probleme të ndryshme që hasin qytetarët nëpër institucionet shëndetësore. “Numri i gjelbër është i afishuar në çdo sportel të qendrave shëndetësore apo spitaleve. Sa i takon telefonatave, ne marrin 5-10 denoncime në ditë për problematika të ndryshme. Nga statistikat rezulton se “parimi” i parë i ankesave është ai për shërbimin, por kjo vjen më tepër nga mungesa e informacionit dhe jo për shkak të bluzave të bardha. Shumë të shpeshta janë ankesat për sistemin e referimit dhe për marrjen e rekomandimeve përkatës”,-thotë Thomo për ‘Scan Magazine’. Megjithatë, sipas drejtorit, pothuajse në asnjë rast nuk është depozituar një ankesë për korrupsion nga ana e mjekëve. “Duhet të marrim në konsideratë edhe pjesën emocionale sepse ne kemi edhe denoncime të tipit: ‘kam djalin e sëmurë, por nuk ka ardhur infermierja t’i vendosë vigonin e serumit”, pra që lindin nga ngarkesa emocionale e momentit dhe nuk ka lidhje me pjesën e shërbimit shëndetësor. Por, mund të them me bindje që, qysh prej kohës kur unë jam emëruar drejtor i kësaj drejtorie nuk ka patur asnjë rast për korrupsion nga bluzat e bardha. Kjo jo vetëm në numrin e gjelbër, por edhe në portalin e korrupsionit. Në këto 4 vite, që unë merrem me ankesat e qytetarëve, nuk kemi patur asnjë rast të tipit ‘mjeku nuk më jep shërbim sepse kërkon para në këmbim’”,-shprehet Thomo. Ndërkaq, sa i takon administrimit të ankesave, ai shton se procedura është e menjëhershme, duke synuar moszgjatjen në kohë. “Kjo ndodh sidomos kur personi që ankohet është ende në ambientet e spitalit apo qendrës shëndetësore. Përshembull, nëse ankuesi ndodhet në spitalin e Gramshit dhe ka për të marrë një rekomandim për “X” shërbim, ne komunikojmë direkt me spitalin, marrim informacion nëse është mjeku i shërbimit apo jo, si dhe për arsyet se përse po i mohohet shërbimi, çka do të thotë se zgjidhjet janë të menjëhershme. Pra, nuk janë përgjigje që administrohen pas një kohe të caktuar sepse çështjet e shëndetit nuk presin”,-thotë Thomo.
Urdhri i mjekëve, 18 ankesa për shtatë muaj
Ndërkaq, pranë Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë pranohen denoncime dhe ankesa nga të sëmurët, familjarët, publiku, drejtoritë e institucioneve shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë, nga vetë mjekët, etj. Kreu i këtij institucioni, Fatmir Brahimaj thotë për ‘Scan Magazine’ se për 7 muajt e parë të këtij viti, vetëm për rajonin e Tiranës janë depozituar 18 ankesa nga familjarë e pacientë. Në këtë rast, objekt i ankesave janë shkeljet e etikës nga bluzat e bardha, ku bën pjesë edhe mitmarrja si dhe akuza për mjekim të pakujdesshëm. “Ajo që doja të theksoja është që nga viti në vit kemi rritje, që flet edhe për rritje të besueshmërisë që tregon publiku ndaj institucionit tonë”,- thotë Brahimaj.
“Përpara se ne të fillojmë procesin e gjykimit të ankesave, ne kontaktojmë me të interesuarin, i cili plotëson një formular me shkrim për kërkesën dhe pas kësaj bëjmë një ballafaqim, pasi kontaktojmë me mjekun apo qendrën shëndetësore, për të cilët ka ankesë. Shumë herë ankesat zgjidhen që në këtë proces, sepse në një pjesë të mirë të rasteve nuk ka një mirëkuptim mes palëve. Shkalla e parë e gjykimit bëhet pranë këshillave rajonalë të UMSH-së”,-thotë Brahimaj. Në rast pakënaqësish ndaj vendimit, gjykimi shkon në shkallën e dytë, pranë Këshillit Kombëtar, i cili i rishikon gjykimet e bëra pranë shkallës së parë. “Në këtë rast, krijohet një trupë me mjekë të specialitetit përkatës, ku është pakënaqësia së bashku me një jurist dhe gjithë dokumentaconi që mblidhet nga kartela klinike, nga ekzaminime të ndryshme, i jepet një specialist. Pasi ridëgjohen edhe njëherë të dyja palët, bëhet një proces gjykimi profesional, teknik, në dallim nga proceset e tjerë që kanë praktikë të ndryshme nga tona,-thotë Brahimaj, duke shtuar se gjykimi duhet të mbyllet brenda 2 muajsh. Në rast se edhe në shkallën e dytë, palët nuk janë dakord me vendimin, atëherë mund t’i drejtohen Gjykatës Administrative. Urdhri i Mjekëve ka të drejtë të marrë edhe masa ndaj mjekëve, në rast se ata shpallen fajtorë, të cilat shkojnë deri në heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit deri në 3 vjet. “Masat janë të ndryshme: nga vërejtje, vërejtje me shkim, gjoba që shkojnë deri 100 mijë lekë e deri në pezullim të licencës nga 1-3 vjet, që është masa më e ‘rëndë’”,-saktëson kreu i UMSH-së. Nga 18 ankesat e këtij viti, për vetëm 5 prej tyre ka përfunduar gjykimi, ndërsa referuar vendimeve të marra, është shkuar deri te masa “vërejtje me shkrim”, pasi sipas Brahimajt, problemet kanë qenë të një niveli jo shumë të lartë.
Avokati i popullit, 92 ankesa në 2016
Avokati i Popullit është një tjetër institucion ku qytetarët mund të denoncojë shkeljet e të drejtave në sektorin shëndetësor. Sipas raportit vjetor, gjatë vitit 2016, Avokati i Popullit ka marrë në shqyrtim 92 ankesa në fushën e shëndetësisë në përgjithësi. “Objekti i ankesave kanë qenë zvarritje trajtimi mjekësor për shkak të fluksit në QSUT, kërkesa për kurim jashtë vendit, ankesa për mungesa në medikamente kryesisht në spitalin onkologjik në QSUT, ankesa për mospërfshirje në listat e rimbursimit të medikamenteve kryesisht të moshës së tretë, largime nga puna për shkak të reformës në shëndetësi, mungesë e infrastrukturës, etj.”,-thuhet në raport. “Nga numri i ankesave të marra në total për 85 ankesa ka përfunduar shqyrtimi, ndërsa 7 të tjera janë në shqyrtim. Në numrin e ankesave të shqyrtuara 40 ankesa janë zgjidhur në favor të qytetarit”,-shtohet në dokument. Por, sikurse mund të vihet re, asnjë prej ankesave nuk ka si objekt korrupsionin apo mitmarrjen nga bluzat e bardha. Avokati i Popullit ofron 6 forma mbi depozitimin e ankesave e më konkretisht: Ankesë online, ankesë me shkrim, e dërguar me postë, duke u paraqitur në institucionin e Avokatit të Popullit, duke u paraqitur në zyrat rajonale të Avokatit të Popullit, përmes SMS-ve në numrin 068903464 si dhe në numrin 08001111. Ndërkohë, referuar rregullores së këtij institucioni, vlerësimi i ankesave të paraqitura në institucionin e Avokatit të Popullit, bëhet mbi baza ditore nga Komisioni i Vlerësimit, i përbërë nga ndihmëskomisionerë. Brenda një ditë ankesa i përcillet seksionit përkatës, ndërkohë që në varësi të saj mund të nisin edhe hetime, që kërkojnë deri në 2 muaj kohë.
Ola Mitre/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.