Individët, kreditorë më të mirë – Raporti i kredive me probleme ulet në 7.6%
Raporti i kredive me probleme për individët zbriti në 7.6% në fund të vitit të kaluar. Raporti i Stabilitetit Financiar, i prezantuar të enjten nga Banka e Shqipërisë, tregoi edhe njëherë se individët ngelen segmenti më i shëndetshëm në kreditim.
Raporti i kredive me probleme te individët ka rënë me afro pesë pikë përqindjeje gjatë vitit të kaluar, po të kemi parasysh se në fund të vitit 2016 ky raport ishte 12.5%. Gjithashtu, kreditë me probleme te individët ngelen ndjeshëm më të ulëta në raport me bizneset.
Kredia për individë është më cilësore kryesisht sepse ajo jepet në vlera mesatare më të ulëta dhe mundëson një shpërndarje më të mirë të rrezikut kreditor. Gjithashtu, volumet më të mëdha të kredisë për individë shkojnë për blerje banesash, ku në shumicën e rasteve kolaterali është vetë prona e blerë. Duke qenë se kolaterali është banesa e tyre, individët kanë një predispozitë më të madhe për të qenë korrektë në shlyerjen e kredisë.
Kreditë me probleme për bizneset ngelet në kufijtë e 17%, megjithëse edhe këtë rast vërehen përmirësime të dukshme gjatë vitit 2017. Gjatë vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme për bizneset ra me rreth shtatë pikë përqindjeje.
Një ndikim të konsiderueshëm ka pasur përsëri pastrimi i portofolit nga kreditë e humbura, sidomos në muajt e fundit të vitit. Por, ajo që nënvizohet nga Banka e Shqipërisë është një kontribut në rritje nga ristrukturimet e kredive në uljen e raportit të kredive me probleme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.