Industria europiane vazhdon rënien – Prodhimi bie për të tretin muaj radhazi në Korrik
Industria në Eurozonë është tkurrur për të dytin muaj radhazi dhe po nis tremujorin e tretë në performancë negative. Prodhimi industrial në zonën e valutës së përbashkët ra me 0.4% në Korrik me bazë mujore dhe me 2% nga e njëjta periudhë një vit më parë. Ekonomistët prisnin një rënie më të lehtë. Eurostat rishikoi të dhënat për Qershorin, në një rënie prej 1.4% .
Prodhimi i mallrave jo të qëndrueshme të konsumit si veshjet dhe ushqimi i paketuar, ra me 0.8%, duke përbërë komponentin më të dobët. Energjia pësoi gjithashtu rënie me 0.7%. Megjithatë, prodhimi i mallrave të qëndrueshëm, si televizorët dhe makinat, pati rritje me 1.2%, ndërsa i mallrave kapitale, si makineritë, pati rritje me 1.8%. Banka Qendrore Europiane pritet të prezantojë stimuj të rinj për t’i dhënë nxitje ekonomisë së Eurozonës, që është goditur nga lufta tregtare dhe faktorë të tjerë. Ekonomia e Eurozonës u ngadalësua në 0.2% në tremujorin e dytë, nga 0.4% në të parin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.