Inflacion i ulët edhe në maj – Çmimet në ekonomi u rritën me 1.5%
Inflacioni u rrit lehtë për majin, por ngelet ende në nivele shumë të ulët dhe larg objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas Instat, inflacioni u rrit në 1.5%, nga 1.4% që kishte qenë për muajin prill.
Rritja e muajit maj erdhi kryesisht nga rritja e inflacionit për grupin e ushqimeve, që arriti në 3.1%, nga 2.7% që kishte qenë për prillin. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate” u rritën me 10,5 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 7,7 % dhe “qumësht, djathë dhe vezë”. Rritje të lehtë inflacioni regjistroi edhe në grupin “pije alkoolike dhe duhan”, ndërsa inflacioni i grupit transporti pësoi rënie, duke kaluar në vlera negative. Kjo lidhet me një çmime lehtësisht më të ulëta të karburanteve krahasuar me një vit më parë.
Grupet e tjera me peshë në indeksin e çmimeve të konsumit nuk pësuan luhatje domethënëse gjatë muajit maj, duke bërë që inflacioni të ngelet në nivele mjaft të ulëta.
Rënia e ndjeshme e muajve të parë të këtij viti shpjegohet nga Banka Qendrore kryesisht me efektin e mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të rritet gradualisht, sidomos duke filluar nga gjysma e dytë e këtij viti dhe të kthehet pranë objektivit prej 3% në fillim të vitit 2021.
Megjithatë, kthimi i inflacionit në objektiv mund të vështirësohet më tej, mbështetur në skenarët që po shfaqen në muajt e fundit. Leku po forcohet sërish në kursin e këmbimit me euron. Thellimi i mbiçmimit të monedhës kombëtare mund të ketë efekte të mëtejshme në inflacion.
Veç efektit të kursit, një ndikim edhe më domethënës në inflacion mund të ketë keqësimi i kërkesës agregate dhe i ritmeve të rritjes ekonomike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.