Inflacioni arrin objektivin e BQE – Në 1.9% gjatë muajit Maj, merr nxitje nga çmimet e energjisë
Inflacioni në Eurozonë është rritur sipër projeksioneve gjatë muajit Maj, prej kostove më të mëdha të energjisë. Kjo sjell një lehtësim te politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane, pas trazirave në tregje që kanë kërcënuar planin për të përfunduar programin e stimujve monetarë.
Indeksi i çmimeve të konsumit në 19 vendet që ndajnë euron, u rrit në 1.9% nga 1.2% që ishte në Prill, raporton zyra e Statistikave e Bashkimit Europian. Niveli ishte sipër vlerësimit të analistëve prej 1.6%, ndërkohë që rritja e çmimit të naftës u transmetua shpejtë te konsumatorët.
Duke hequr çmimet e energjisë dhe ushqimit të papërpunuar, inflacioni rezultoi në 1.3%, nga 1.1% që ishte në Prill. Treguesi tjetër që heq edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit, u rrit në 1.1% në Maj, nga 0.7% që ishte një muaj më parë.
Mandati i Bankës Qendrore Europiane është që të mbajë inflacionin në pranë 2%, një detyrë që ka qenë e vështirë për institucionin, pavarësisht performancës më të fortë të ekonomisë në 1 dekadë.
Institucioni në Frankfurt është përpjekur prej muajsh që të përgatisë tregjet për përfundimin e programit të stimujve prej 2.55 trilionë euro. Megjithatë, rreziqet politike në Itali, rrezikojnë rikthimin e trazirave në tregje dhe devijimin e planit të bankës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.