Inflacioni bie në 2% – Eurostat konfirmon vlerësimin. Treguesi, në objektivin e BQE
Inflacioni në Eurozonë u ngadalësua lehtë në 2% gjatë Gushtit, sipas Agjencisë së Statistikave të Bashkimit Europian, që konfirmoi vlerësimin fillestar. Eurostat konfirmoi gjithashtu se inflacioni, përjashtuar çmimet e energjisë dhe ushqimit të papërpunuar, tregues i ndjekur nga Banka Qendrore Europiane, arriti në 1.2%.
Me bazë mujore, inflacioni u rrit me 0.2%, ndërsa inflacioni bazë, me 0.1%. Të dhënat vijnë paralelisht me projeksionet e tregut për një ngadalësim nga niveli prej 2.1% që arriti në Korrik.
Treguesi që përjashton çmimet e energjisë, ushqimit, alkoolit dhe duhanit, që monitorohet nga ekonomistët, arriti në 1% me bazë vjetore dhe në 0.2% nga muaji Korrik. Çmimet e energjisë u rritën me 9.2% në Gusht nga e njëjta periudhë një vit më parë, krahasuar me një rritje prej 9.5% në Korrik me bazë vjetore.
Javën e kaluar, Banka Qendrore Europiane mbajti politikat monetare të pandryshuara dhe premtoi se do të vazhdojë planin për të përfunduar blerjet e obligacioneve këtë vit dhe rrisë normat e interesit në tjetrin. Institucioni në Frankfurt kërkon ta mbajë inflacionin në pranë 2%, në terma afat-mesëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.