Inflacioni, dobët edhe në nëntor/ Për 11-mujorin 2019 çmimet u rritën me vetëm 1.4%
Inflacioni nuk dha shenja të rëndësishme gjallërimi as në muajin nëntor. Instat raporton se rritja vjetore e çmimeve ishte 1.4%, me një rritje të papërfillshme nga niveli 1.3% i dy muajve paraardhës. Tashmë mund të thuhet se projeksionet e Bankës së Shqipërisë që parashikonin një gjallërim të çmimeve në gjysmën e dytë të vitit rezultuan tepër optimiste. Për 11 muajt e këtij viti, inflacioni mesatar në ekonominë shqiptare rezultoi 1.4%, nga 2% që kishte qenë për vitin e kaluar.
Sipas Bankës Qendrore, në muajt e fundit presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, por nga ana tjetër ulja e inflacionit në vendet partnere tregtare ka ulur presionet e jashtme dhe ka bërë që rritja e çmimeve në Shqipëri të qëndrojë e dobët. Sidoqoftë, edhe nëse nivelet e ulëta të inflacionit shpjegohen me ndikimin e përkohshëm të faktorëve të ofertës apo mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit, shtrirja e këtij ndikimi në kohë po shfaqet më e gjatë dhe më e qëndrueshme nga sa pritej. Banka e Shqipërisë ngelet para dilemës për të ulur ose jo edhe më shumë normën bazë të interesit nga niveli aktual prej 1%. Vendimi i radhës do të merret në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës që do të zhvillohet javën e ardhshme. Është e qartë se, në kushtet kur norma bazë prej vitesh është afër zeros, efektet e uljeve të mëtejshme nuk priten të jenë shumë të mëdha. Megjithatë, një ulje tjetër e normës bazë mund të shërbejë si një sinjal për tregjet dhe ekonominë. Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe stabilizimi i kursit të këmbimit, do të krijojnë premisa për kthimin gradual të inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Për muajin nëntor, rritja e lehtë e inflacionit u përcaktua sidomos nga grupi i ushqimeve, që arriti në 3.2%. Çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 15.6 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5 %, “zarzavate” me 4.6 % dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 2.3 %. Por, shtrenjtimi i ushqimeve u kompensua nga ulja e inflacionit për grupin “pije alkoolike dhe duhan” dhe për “veshjet”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.