Inflacioni i harmonizuar – Rritet me 3.2% për vitin 2017
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 3.2% për vitin 2017, duke regjistruar kështu një rritje ndjeshëm më të lartë se norma zyrtare e inflacionit.
Sipas të dhënave nga Instat, për dhjetorin ndryshimi vjetor i këtij indeksi ishte 2.4%, në të njëjtin nivel me muajin nëntor. Në fund të vitit të kaluar, edhe për këtë tregues rritja u ngadalësua ndjeshëm. Në dy muajt e fundit, rritja preku vlerën më të ulët që nga janari 2017, kur INSTAT nisi ta llogarisë për herë të parë.
Sidoqoftë, rritja e çmimeve në Shqipëri ngelet më e lartë krahasuar me nivelin mesatar prej 1.7% i vendeve të Bashkimit Europian.
Inflacioni i harmonizuar gjithashtu vazhdon të jetë më i lartë në raport me indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit, i cili paraqet dhe normën zyrtare të inflacionit. Për vitin 2017 inflacioni në Shqipëri ishte 2%, në rritje nga vitit 2016, por më pak se pritshmëritë fillestare për vitin që sapo u mbyll.
Kontributin dërrmues në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit në Shqipëri edhe për dhjetorin e dha grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me afro 2.1 pikë përqindjeje, nga 2.4% që ishte rritja totale.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndryshe nga indeksi i çmimeve të konsumit, që mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.